Sport

Klubi amator Tasmania “lut” Schalken që të mos ia thyejë rekordin negativ

Descriptive Text

Berlin, 8 janar (Reuters) – Thuhet se çdo reklamë është e mirë dhe është një klub në Gjermani që në një mënyrë e dëshmon këtë.

Skuadra amatore, Tasmania Berlin, e mban për më shumë se gjysmë shekulli rekordin për serinë më të gjatë pa fitore në Bundesligë. Klubi nga kryeqyteti gjerman është i përkushtuar ta ruajë këtë rekord pas rrezikut që po i vjen nga Schalke.

Ekipi i Schalkes është vetëm një ndeshje larg nga barazimi i rekordit prej 31 ndeshjeve pa fitore. Schalke është në seri prej 30 ndeshjeve pa fitore dhe disfata eventuale në shtëpi nga Hoffenheimi të shtunën do të bëjë që rekordi i Tasmania Berlinit të barazohet.

Skuadrat e tjera do të tentonin ta harronin këtë statistikë shumë negative. Por, magjia e shkurtër e Tasmania Berlinit në kategorinë më të lartë të Gjermanisë në edicionin 1965/66 ka qenë burim krenarie për klubin.

Përgjatë atij sezoni, Tasmania Berlini edhe e vendosi rekordin prej 31 ndeshjeve pa fitore në Bundesligë. Tani, Tasmania Berlin, që garon në një ligë amatore të Gjermanisë, po shpreson që Schalke të marrë fitore kundër Hoffenheimit, në mënyrë që mos të barazojë rekordin negativ. Këtë rekord prej 31 ndeshjeve pa fitore, te Tasmania Berlini e mbajnë me krenari.

“Ky rekord prej 31 ndeshjeve të humbura në sezonin 1965/66 është si një kult për ne. Në fakt, me këtë rekord negativ edhe krenohemi sepse është kujtimi i vetëm i klubit nga Bundesliga”, ka thënë Almir Numiq, presidenti aktual i Tasmania Berlinit. “Nëse ky rekord barazohet nga Schalke, atëherë askush nuk do të flasë më për Tasmania Berlinin. Pra, duam të mbahemi në mend për këtë, rekordin asnjëherë nuk e kemi parë si një gjë negative. Klubet e tjera mund të pyesin pse ne e shohim këtë si një gjë pozitive. Është më mirë të kesh një mbulim të tillë sesa të mos kesh fare mbulim”.

Sipas tij, Tasmania Berlini falë këtij rekordi negativ ka tërhequr vëmendjen e madhe të mediumeve në mbarë botën gjatë këtij edicioni.

“Ne jemi duke e shijuar interesin e gjerë në javët e fundit, që nuk është diçka e përditshme për një klub amator”, u shpreh Numiq.

Tasmania Berlini ka luajtur në divizionet më të ulëta amatore të Gjermanisë për vite me radhë, por këtë sezon është bërë emër i njohur në futboll pasi skuadra e Schalkes ka qenë gjithnjë e më afër për të arritur rekordin. Schalke nuk e ka fituar një ndeshje të vetme në ligë që nga janari i vitit të shkuar dhe një barazim ose humbje kundër Hoffenheimit do të bënte që ajo të binte në një nivel me Tasmania Berlinin, si ekip pa fitore për një periudhë shumë të gjatë. Krahas krerëve të Tasmania Berlinit, edhe tifozët e këtij ekipi amator po luten për fitoren e Schalkes ndaj Hoffenheimit.

Tifozët e Tasmania Berlinit u përpoqën ta ndihmonin Schalken me përkrahje javën e kaluar në ndeshjen kundër Hertha Berlin, duke u mbledhur jashtë stadiumit olimpik me pankarta dhe tabela ku shkruante “Duart larg rekordit tonë” dhe “Veproni së bashku dhe fitoni”, mes mesazheve të tjera. Megjithatë, as kjo përkrahje nuk e ndihmoi Schalken pasi pësoi humbje me rezultatin 3:0 dhe tani është vetëm 90 minuta larg për të barazuar rekordin me Tasmania Berlinin për ndeshje pa fitore.

“Mendova se ishte e bujshme ajo që bënë tifozët tanë. Unë i mbështeta ata për këtë veprim dhe madje ua dërgova atyre edhe disa flamuj”, tha Numiq që zbuloi se Schalke do të ketë përkrahjen e Tasmania Berlinit edhe në duelin kundër Hoffenheimit. “Shpresoj që këtë herë ndihma jonë do të ndikojë në fitoren e Schalkes”.

Edhe nëse Schalke barazon rekordin të shtunën, ka një moment historik me të cilin akoma mund të mburren te Tasmania Berlini.

“Ne e arritëm rekordin tonë në një sezon të vetëm, ndërsa Schalke do të duhet ta bëjë atë gjatë dy sezoneve. Kështu që sërish ndoshta do të kemi diçka për të cilën mund të mburremi”, shtoi Numiq.