Sport

Me trajnerin Radoviq e amerikanin Leday, KB Prishtina paralajmëron kthim të fuqishëm

Descriptive Text

Gati një muaj pas largimit nga Golden Eagle Ylli, trajneri nga Mali i Zi, Dragan Radoviq, do të kthehet të punojë në basketbollin e Kosovës.

Radoviqi, të premten, do të mbajë stërvitjen e parë me skuadrën e Sigal Prishtinës. Klubi nga kryeqyteti tashmë ka arritur marrëveshje me Radoviqin, i cili do të jetë në krye të Sigal Prishtinës deri në fund të këtij edicioni.

Radoviqi në fillim të vitit të shkuar mori drejtimin e Yllit dhe arriti deri në finale të Kupës së Kosovës, kurse këtë edicion u largua pas xhiros së nëntë dhe një serie prej katër humbjeve rresht. Ylli më 14 dhjetor njoftoi se ka ndërprerë bashkëpunimin me Radoviqin.

Krahas Radoviqit, Sigal Prishtina ka siguruar edhe shërbimet e qendrës amerikane Seth Leday (201 cm) që së fundi ishte pjesë e skuadrës nga Lituania, Siauliai.

“E kemi arritur marrëveshjen me trajnerin Dragan Radoviq dhe basketbollistin amerikan Seth Leday”, ka thënë për KOHËN një burim brenda Prishtinës.

Trajneri Radoviq e amerikani Leday, janë vetëm përforcimet e para të Sigal Prishtinës për pjesën e dytë të këtij edicioni. Në fakt, te klubi bardhekaltër kanë paralajmëruar edhe dy të huaj që pritet të zyrtarizohen ditëve në vijim dhe po ashtu ndonjë lojtar vendor. Sa u përket vendorëve, nuk përjashtohet në asnjë mënyrë rikthimi i Dardan Berishës, i cili u largua vitin e shkuar nga Prishtina për t’iu bashkuar skuadrës së Pejës.

“Gjithashtu, në ekip do të vijnë edhe dy amerikanë, si dhe ndonjë vendor pasi me disa i kemi nisur negociatat. Prishtina do të ketë një fytyrë krejtësisht tjetër në pjesën e dytë të këtij edicioni dhe tashmë kemi bërë lëvizjet e para. Largime nuk do të ketë, vetëm afrime”, shtoi burimi.

Te Prishtina besojnë se me përforcimet që do t’i bëjnë, ekipi do të jetë i kompletuar dhe i gatshëm për të bërë një rikthim të fuqishëm. Synimet mbeten të qarta - titulli i kampionit dhe trofeu i Kupës së Kosovës.

“Natyrisht që do të luftojmë për të gjithë trofetë pasi strategjia e klubit ishte kjo, që pjesën e parë ta mbyllim me lojtarë vendorë dhe të rinj, të cilëve ua kemi dhënë rastin”.

Radoviqi në krye të Prishtinës do të debutojë këtë vikend dhe atë në ndeshjen kundër ish-ekipit të tij, Bashkimit. Radoviqi me Bashkimin e ka fituar titullin e kampionit që është i pari në histori të klubit të Prizrenit, si dhe pati arritur deri në finalen e Kupës së Kosovës dhe Ligës Ballkanike (BIBL).

Sigal Prishtina e nisi këtë edicion me triumf në turneun e Superkupës së Kosovës dhe ishte ekipi i vetëm që luajti me lojtarë vendorë, përfshirë këtu edhe basketbollistin nga Shqipëria, Daniel Lekndreaj, që iu bashkua ekipit javë më parë. Megjithatë, Prishtina nuk pati rezultate të mira në Superligë. Në 13 ndeshje të zhvilluara, Prishtina regjistroi katër fitore dhe nëntë humbje. Renditet në pozitën e gjashtë në tabelë me 17 pikë, sa i ka edhe skuadra e Vëllaznimit që zë vendin e parafundit.