Sport

Mehmedin e kanë munduar shumë lëndimet

Pas mungesës në pesë ndeshje në ligë dhe në kupë për shkak të tendinës së Akilit, të dielën që lamë pas, ai luajti në humbjen nga Dortmundi 2:0.

Megjithatë, futbollisti i Wolfsburgut, Mehmedi, thotë se ende ka dhimbje. Herën e fundit ishte tendina e majtë e Akilit që u shërua plotësisht, tani ka probleme në këmbën e djathtë, nga po e njëjta gjë.

“Kam pasur stres dhe e kam ndjerë, tani po mundohemi që t’i mbajmë gjërat në kontrollë. Është paksa e çmendur të kesh lëndime të kohëpaskohshme, është e bezdisshme”, ka nënvizuar Mehmedi. Reprezentuesi i Zvicrës thotë se skuadra megjithatë, ka kualitet dhe nëse luajnë të bashkuar, mund të jenë shumë të vështirë për t’u mundur. Të shtunën, Wolfsburgu do të udhëtojë te Union Berlini, skuadrën që e drejton Urs Fischer. Për Mehmedin, trajneri Fischer është shumë i veçantë, pasi me të ka kaluar kohë te FC Zuerichu, ku 54-vjeçari e kishte ushtruar atë në kohën kur sulmuesi shqiptar ishte te të rinjtë e këtij ekipi. “Ai është legjendë në Zuerich. Çdo ekip që ai e ka udhëhequr, ka qenë i suksesshëm. Është person i jashtëzakonshëm, shumë i hapur dhe shumë i thjeshtë. Unioni po ashtu është zhvilluar shumë në aspektin futbollistik, falë Fischerit”, ka thënë Mehmedi.