Sport

Rrahmani shpreson që debutimi të jetë shenjë e një viti pozitiv

Amir Rrahmani ka qenë i bindur se do të debutojë për Napolin në muajin e parë të vitit 2021. Ai ka pritur se debutimi do të ndodhë më 13 janar në ndeshjen për kupë ndaj Empolit, apo më 20 janar në ndeshjen e Superkupës ndaj Juventusit.

Pritja e tij, megjithatë, ka qenë më e shkurtër.

Mbrojtësi i Kosovës të dielën mbrëma e luajti ndeshjen e parë për skuadrën e madhe italiane. U aktivizua në fund në fitoren 4:1 të Napolit në udhëtim ndaj Cagliarit. Ndeshja i takoi xhiros së 15-të të kampionatit italian, Serie A. Rrahmani, që është shtyllë e mbrojtjes së Kosovës, zëvendësoi në minutën e 87-të grekun Konstantinos Manolas.

Rrahmani më 20 janar të vitit të kaluar firmosi me Napolin, por vazhdoi të luante për Veronan deri në fund të edicionit 2019/2020. Napolit iu bashkua para fillimit të edicionit 2020/2021.

Është pritur që të largohet ndonjë mbrojtës nga Napoli në verë, por kjo nuk ndodhi. Dhe, kështu, Rrahmani duhet të presë ende për t’u stabilizuar në ekipin bazë. Rrahmani është treguar i durueshëm deri më tani dhe ka kuptuar situatën. Madje, në bazë të deklaratave që ka dhënë për KOHËN javën e kaluar, nuk ka pritur se do ta fitojë rastin në ndeshjen e së dielës. Por, Rrahmani shpreson që debutimi të jetë shenjë e një viti pozitiv të tij me Napolin, e pse jo edhe me Kosovën.

“Kam punuar shumë gjatë gjithë kohës dhe jam i lumtur për debutimin tim me Napolin. Ka qenë një nisje e mbarë. Shpresoj të shkojë sa më mirë edhe në vazhdim të edicionit”, ka thënë Rrahmani të dielën mbrëma për KOHËN. “Shpresoj ta ndihmoj skuadrën t’i arrijë objektivat. Fitorja ishte e rëndësishme natyrisht”.

Napoli është prej skuadrave më të mëdha në Itali.

Debutimi i Rrahmanit vlerësohet i rëndësishëm edhe për Kosovën. Ai është prej lojtarëve më të rëndësishëm te Kosova dhe për shtabin teknik është vlerësuar me shumë rëndësi që të luajë rregullisht.