Sport

“Jusuf Gërvalla” - klubi i hendbollit që theu tabutë

Deçan, dhjetor - Është klub i hendbollit në konkurrencën e femrave, por mban emër të veçantë, atë të veprimtarit të çështjes kombëtare dhe heroit, Jusuf Gërvalla.

Nga një ekip i shkollës fillore, që shënonte rezultate pozitive në garat shkollore në Komunën e Deçanit, ia doli që brenda dy vjetësh nga themelimi në vitin 2016, të inkuadrohet në Superligën e Kosovës në hendboll. Dhe jo vetëm kaq, KHF “Jusuf Gërvalla”, në krye me themeluesin, donatorin dhe tani trajnerin, Musa Berisha, që është edhe arsimtar i edukatës fizike, thyen edhe tabu në rrethin e Deçanit.

Berisha me punë serioze arriti që hendbollin ta bëjë sport të dëshiruar edhe për gjininë femërore nga viset më të thella. Ideatori i emrit të klubit ishte profesori tashmë i pensionuar, Muhamet Alaj, i cili tregon për KOHËN se klubi “Jusuf Gërvalla” mori emrin e shkollës fillore që ndodhet në Prapaqan të Deçanit.

i Jusuf Gërvallës ishte një ekip cilësor në krahasim me ekipet tjera që merrnin pjesë në garat shkollore. Unë i shikoja ndeshjet e këtij ekipi dhe e ftova trajnerin e skuadrës dhe i thashë se ky ekip mund të bëjë gara edhe në Ligën e Parë të Kosovës në hendboll, sepse unë e njihja nivelin e Ligës së Parë. Kështu që ne i organizuam, i dërguam disa vajza në kamp në Prishtinë. Unë në atë kohë isha kryetar i Komisionit Profesional dhe i grumbulluam vajzat që ishin pak më të përgatitura dhe pasi u kthyem nga kampi atëherë filluam të organizohemi në mënyrë më serioze. Dua të them se na ka ndihmuar edhe shkolla fillore ‘Jusuf Gërvalla’, posaçërisht drejtori i shkollës, si dhe disa shkolla të tjera me lojtare”, tha Alaj.

Njeriu tjetër që dha shumë dhe vazhdon të mos ndalet është Musa Berisha. Ai me mjaft sukses drejton ekipin e vajzave që nga dita e parë e themelimit. Berisha zbulon se kanë pasur probleme të mëdha në fillim për të arritur deri në nivelin më të lartë të hendbollit kosovar.

“Kemi pasur probleme të natyrave të ndryshme, por falë punës së madhe dhe ndihmës nga shumë donatorë, ia kemi dalë të arrijmë këtu ku jemi. I falënderoj të gjithë që kanë kontribuar për këtë klub, e që janë shumë. Kemi pasur edhe probleme infrastrukturore dhe unë nuk kisha mundur të shkoja në Pejë apo diku tjetër për të zhvilluar ndeshje po të mos ishte kjo palestër. Kështu si është, na ka hyrë në punë, por kushtet nuk i plotëson. Së pari mungon ndriçimi. Disa drita i kam vendosur vetë, unë i kam blerë dhe i kam vendosur, pasi nuk ka qenë e tërë palestra e ndriçuar ashtu siç duhet. Këtë vit kanë intervenuar institucionet komunale dhe drejtori i shkollës dhe janë krijuar kushte më të mira”, deklaroi Berisha.

Image

Bindja e prindërve

Për të aktivizuar klubin dhe për të bërë numrin e lojtareve për ndeshje, Berisha është dashur të flasë me prindërit e vajzave, të cilat është dashur t’i kthente në shtëpi.

“Në rend të parë, kam komunikuar me prindërit. Kam shkuar në shtëpi të sëcilit dhe iu kam treguar se unë jam Musa Berisha, pedagog i edukatës fizike, punoj në shkollën Jusuf Gërvalla. Mund të them se kam hasur në mirëkuptim te prindërit të cilët e kanë kuptuar vullnetin, dëshirën, që unë e kam seriozisht dhe nuk i kanë ndalë. Por, edhe kur unë iu kam thënë se vajza kthehet në këtë kohë, në atë orë që iu kam thënë e kam dërguar te shtëpia secilën dhe kam qëndruar aty derisa ka hyrë në shtëpi. Tani më nuk kam pengesa të tilla dhe kam në klub rreth 50 lojtare. Pas çdo ndeshjeje, kisha dëshirë që të rrija me kolegë të profesionit dhe të analizonim ndeshjen në çdo pikë, por unë nuk mundja, pasi duhej t’i dërgoja lojtaret në shtëpitë e tyre”, u shpreh Berisha. Për këtë fenomen, që tashmë është kaluar, flet edhe Muhamet Alaj, doajen i hendbollit.

ktheheshim shumë vonë nga terreni dhe duhej t’i shpërndanim vajzat nëpër familjet e tyre dhe kishte hezitim nga prindërit të cilët thonin se herën tjetër nuk mund të kalojmë në këtë formë, mirëpo ia dolëm dhe i kaluam të gjitha pengesat dhe tani skuadra është stabile. Tani kemi edhe prindër të cilët janë të interesuar t’i sjellin vajzat në ekip dhe kjo është shumë pozitive. Me vajza në fshat është më vështirë të punohet, sepse shumë shpejt largohen prej sportit, dikush martohet, dikush e fillon shkollimin në Prishtinë, pastaj vështirësitë e udhëtimit, por besoj që edhe përkundër këtyre, do t’ia dalim”, deklaroi Alaj.

Trajneri Musa Berisha nuk harron të falënderojë të gjithë ata që kanë kontribuar që klubi të funksionojë dhe të arrijë deri në nivelin superior. Aktivitetin klubi “Jusf Gërvalla”, që merr pjesë në gara me katër kategori, e zhvillon në palestrën e shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, në kushte jo të mira. Përveç problemeve infrastrukturore e organizative, Berisha thotë se ka pasur edhe probleme të tjera. Madje, zbulon se si me veturën ‘Golf’ e ka bartur ekipin për të zhvilluar ndeshje.

“Po e them me përgjegjësi shumë të madhe, tre vjet e kam bartur ekipin me veturë. Tri herë kam shkuar nga Deçani në Bërliç, pastaj jam kthyer në Deçan me marrë grupin tjetër me e dërgu në Dobovi dhe jam kthyer sërish për ta marr grupin tjetër për ta dërguar në Prapaqan. Këtë e kam bërë për tre vjet me një makinë të tipit ‘Golf’. Arsyeja që unë nuk jam ndalë asnjëherë është se vajzat kishin suksese dhe unë nuk mund t’ua ktheja shpinën. Isha i përkrahur edhe nga donatorët të cilët i falënderoj shumë”, theksoi Berisha.

Image

Ëndrrat e hendbollisteve

Berisha thotë se vajzave ua heqin një pjesë të madhe të shpenzimeve. Disa prej tyre janë edhe studente.

“Ua heqim shpenzimet për ushtrime, shpenzimet e udhëtimit shtëpi-palestër, shkollë-shtëpi dhe kemi një numër të lojtareve që janë studente, të cilave ua heqim një pjesë të shpenzimeve, me të cilat mund të paguajnë konviktin dhe mensën”, u shpreh trajneri i skuadrës, Musa Berisha, që është edhe themelues e donator i klubit.

Pasi ia dolën që të thyejnë tabutë, për çka nuk duan të flasin, kapitenia Rinesa Tolaj dhe hendbollistja Donjeta Çeku thonë se kanë pasur edhe probleme të tjera.

“Palestra në të cilën luajmë nuk është për Superligë, pasi nuk i plotëson kriteret. Ne nuk e kemi pasur shumë përkrahjen e Komunës, por prapëseprapë prej donatorëve, prej shokëve të trajnerit që kemi pasë, ia kemi dalë dhe po vazhdojmë të luajmë me mjaft sukses”, deklaroi Rinesa Tolaj.

“Është një palestër e shkollës fillore që ndonjëherë na kushtëzohet edhe stërvitjet me i mbajtë këtu, pasi kanë orë mësimore dhe sigurisht që është një pengesë shumë e madhe”, tha Donjeta Çeku.

Të dyja synojnë që një ditë të luajnë për Kosovën.

“Çdo lojtar ka synim me e përfaqësu vendin e vet. Si unë, edhe lojtaret e tjera të klubit tonë shpresojnë që me arritë sa më shumë majën e Superligës dhe me e përfaqësu Kosovën”, u shpreh kapitenia Rinesa Tolaj.

“Mendoj se ëndrra më e madhe për secilin lojtar është me e përfaqësu Kosovën”, theksoi hendbollistja Çeku.

KHF “Jusuf Gërvalla” ka garuar dy vjet në Ligën e Parë të Kosovës në hendboll. Ndërkaq ky është edicioni i tretë që po merr pjesë në Superligë. Pas stinorit vjeshtor të këtij edicioni, renditet në mesin e tabelës. “Jusuf Gërvalla” ka emër të madh e të veçantë. Ky mjedis sportiv është dëshmi se me vullnet e angazhim arrihen gjëra të mëdha në çdo vend, pavarësisht sfidave.