Sport

KB Trepça e mbyll vitin me humbje

KB Trepça e ka mbyllur vitin me humbje dhe në pozitën e fundit në tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll. Skuadra e Trepçës pësoi humbje të mërkurën në udhëtim nga Peja me shifrat 74:64.

Ndeshja e luajtur në palestrën “Karagaçi” të Pejës e mbylli xhiron e 12-të dhe ishte e fundit për vitin 2020 në elitën e basketbollit kosovar. Për Trepçën që është e fundit në tabelë me 14 pikë, kjo ishte humbja e tetë rresht dhe e dhjeta në total këtë edicion karshi dy fitoreve. Ndërsa, Peja e shënoi fitoren e parë pas tri humbjeve rresht dhe renditet e treta në tabelë me 20 pikë të mbledhura.

Më i dalluari te Peja në këtë fitore ishte Marko Peroviq (26) ndërsa plejmejkeri Dion Dixon regjistroi “triple-double” me dhjetë pikë, dhjetë kërcime dhe 12 asistime. Te Trepça më të dalluarit ishin amerikanët Tramaine Isabell me 19 pikë derisa Devin Haygood shtoi 15 pikë e 11 kërcime që nuk mjaftuan për të evituar disfatën.