Sport

Messi ndihet me fat që ka punuar me Guardiolën

Lionel Messi e ndjen veten me fat që ka punuar me Pep Guardiolën te Barcelona dhe ka thënë se trajneri i Manchester Cityt jep diçka speciale si trajner.

Messi ishte i pandalshëm në kohën e Guardiolës te Barcelona që i fitoi 14 tituj të mëdha ndërmjet viteve 2008-2012.

33-vjeçari është në muajt e fundit të kontratës së tij me gjiganten nga Katalonja, ndërsa ka spekulime se ai mund t’i bashkohet Cityt në verë.

“Ai ka diçka të veçantë. Nuk e di”, ka thënë Messi për televizionin spanjoll “La Sexta”.

“Ai kur i përgatit ndeshjet të bën t’i shohësh gjërat ndryshe, si në fazën defensive, ashtu edhe në atë ofensive. Ai të tregon saktësisht se si po shkon ndeshja dhe si duhet të sulmosh për të fituar”, përfundoi Messi.

Guardiola e ka vazhduar kontratën me Cityn deri në fund të sezonit 2022/23, ndërsa Messi mund t’i bashkohet atij në Angli. Messi e lavdëroi edhe punën e trajnerit Luis Enrique.