Sport

Vdes legjenda e NBA, Jones

Descriptive Text

K.C. Jones, basketbollisti i artë olimpik, dy herë kampion i ligës NCAA, dhe tetë herë kampioni i njëpasnjëshëm në ligën NBA gjatë periudhës së Boston Celtics me Bill Russell, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Jones ishte edhe trajner i ekipit të Bostonit në kohën kur luanin Larry Bird, Kevin McHale dhe Robert Parish dhe i fitoi dy kampionate me skuadrën në vitet e ’80-ta.

Familja dhe skuadra e Celtics konfirmoi se ai vdiq të premten në një shtëpi kujdesi për të moshuar në “Connecticut”. Ai vuante nga sëmundja e Alzheimerit për disa vjet.

“K.C ka qenë njeriu më i këndshëm që e kam takuar ndonjëherë. Ai e kishte një mënyrë të veten për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë. Ka qenë nder të luaja për të”, ka thënë Bird në një komunikatë.

Jones është njëri prej shtatë basketbollistëve në histori që ka fituar medalje të artë Olimpike, kampionatin NCAA dhe titullin e ligës NBA. Ai i fitoi edhe dy tituj tjerë si trajner asistent dhe ishte në krye të Celtics kur skuadra shkoi në Finalet e NBA-it për katër sezone rresht.