Sport

Arteta: Mposhtja e Chelseat, ilaçi më i mirë për Arsenalin

Foto: Reuters

Trajneri Mikel Arteta thotë se mposhtja e Chelseat në “Boxing Day” do të ishte ilaçi më i mirë i Arsenalit në këtë periudhë vendimtare të festave.

Arteta është në një presion të lartë tek Arsenali për shkak të rezultateve të dobëta deri më tani. Në 15 xhiro Arsenali ka grumbulluar vetëm 14 pikë dhe mban pozitën e 15 në tabelë.

E së fundmi gjithashtu u eliminuan nga Carabao Cup në çerekfinale nga Manchester City, që fitoi me rezultat prej 4 me 1.

Arsenali është pa fitore në shtatë ndeshje në Premier Ligë, duke marrë vetëm dy pikë që nga fitorja ndaj Manchester Unitedit në Old Trafford më 1 nëntor.

Sipas Artetës fitorja ndaj Chelseat sot do t’i jepte një shtytje të madhe ekipit, në prag të dy ndeshjeve ndaj Brightonit dhe WBA-së.

“Ilaçi më i mirë, më mirë se gjithçka që mund të ndodhë jashtë objekteve tona, është që të fitojmë ndaj Chelseat. Shtatë apo tetë ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë se në çfarë drejtimi po shkojmë në Premier Ligë”, ka thënë Arteta.