Sport

“Corriere dello Sport”: Muriqi, mund të japësh më shumë

Descriptive Text

Transferimi i reprezentuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, te Lazio në Serie A, u prit me entuziazëm të madh. Mediat italiane kanë shkruar shumë për kalimin e sulmuesit kosovar te klubi nga Roma.

Mirëpo, pas përfundimit të stinorit vjeshtor në kampionatin italian, janë pikërisht mediumet italiane që insistojnë se te Lazio kanë mbetur të pakënaqur me atë që Muriqi ka treguar deri më tani. Sulmuesi 26-vjeçar iu bashkua Lazios në shtator nga Fenerbahçe për 18.5 milionë euro dhe me ekipin italian firmosi kontratë deri në vitin 2025. Në dhjetë ndeshje të luajtura me fanellën e Lazios – gjashtë në Serie A dhe katër në Ligën e Kampionëve – Muriqi nuk e ka shënuar asnjë gol.

Pas përfundimit të stinorit vjeshtor, ditë më parë, e përditshmja italiane “Corriere dello Sport” ka shkruar të premten për shterpësinë e Muriqit, duke komentuar se te Lazio kanë pritur shumë më shumë prej tij. Pas 14 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në kampionatin italian, skuadra e Lazios zë vendin e tetë në tabelë me 21 pikë të grumbulluara, si dhe është kualifikuar në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve.

“Vedat Muriqi, top transferimi i Lazios në afatin kalimtar të verës, ende nuk e ka shënuar asnjë gol. I transferuar te Lazio me reputacionin e bomberit, Muriqi për shkak të lëndimeve dhe infektimit me COVID-19 nuk ka arritur të bëjë atë për të cilën ka ardhur, të shënojë gola”, ka shkruar gazeta prestigjioze italiane.

“Vedati deri më tani ka zhgënjyer në dhjetë paraqitjet që i pati me Lazion në të gjitha garat. Trajnerit Simone Inzaghi i duhet përfundimisht të punojë me të. Lazio ka investuar rreth 20 milionë euro për Muriqin, vlerë të cilën ende nuk e ka dëshmuar”.

Sulmuesi kosovar para se t’i bashkohej Lazios, pati një edicion fantastik në Turqi me fanellën e Fenerbahçes dhe bëri që shumë skuadra të njohura evropiane të shprehin interesim për shërbimet e tij. Por, në fund ishte ekipi italian me ofertën më të mirë, që arriti ta transferojë. Sa ishte te Fenerbahçe, Muriqi kishte shënuar 17 gola dhe kishte asistuar shtatë herë në 36 ndeshje në të gjitha garat. Ai gjigandit turk i ishte bashkuar në verën e vitit të shkuar nga Rizespori, ekip tek i cili kishte shpërthyer po ashtu me 17 gola.

Për kartonin e tij, Fenerbahçe pagoi 5.5 milionë euro dëmshpërblim, kurse Muriqi gjatë karrierës ka luajtur edhe te Gençlerbirligi, Giresunspori, Besa e Kavajës, Teuta e Durrësit dhe Liria. Sulmuesi shtatlartë prej vitit 2016 është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, dhe deri më tani ka shënuar dhjetë gola në 25 ndeshje.