Sport

Interi po insiston për De Paulin

Skuadra e Interit po insiston në transferimin e mesfushorit të Udineses, argjentinasit Rodrigo de Paul, ka njoftuar të enjten sajti italian “Calciomercato”.

Bëhet e ditur se Interi po synon ta transferojë mesfushorin 26-vjeçar, gjatë miniafatit kalimtar të janarit dhe tashmë ka nisur negociatat me Udinesen. Interi po e kërkon huazimin e tij prej 18 muajve, me detyrim të blerjes së kartonit të argjentinasit në verën e vitit 2022. De Paul po shihet te Interi si përforcim i duhur për mesfushën dhe trajneri Antonio Conte po kërkon me ngulm shërbimet e tij. Ai këtë edicion ka tri gola e po aq asistime në 15 ndeshje për Udinesen, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024. Krahas Interit, interesim për De Paulin ka treguar edhe Leeds Unitedi kurse kartoni i tij vlerësohet rreth 35 milionë euro.