Sport

Hysenagolli ka synime me Bashkimin, ekipin e zemrës në Kosovë

Descriptive Text

Endrit Hysenagolli është i gatshëm për ta ndihmuar KB Bashkimin, fillimisht të ngjitet në tabelë dhe pastaj të synojë trofe këtë edicion në basketbollin e Kosovës. Qendra Hysenagolli të martën mbrëma u prezantua te Bashkimi, kurse të enjten pasdite do të debutojë me fanellën portokallezi, ngjyrat e ekipit të tij të zemrës në Kosovë.

Edhe vetë Hysenagolli, që pritet të jetë ndihmë e madhe për prizrenasit ndaj Vëllaznimit në kuadër të xhiros së dhjetë, e pranon se Bashkimi është dhe do të mbetet ekipi i tij i zemrës. Lidhja e Hysenagollit me Bashkimin daton qysh nga edicioni 2013/14, kur iu bashkua për herën e parë dhe mbeti pjesë e këtij ekipi për tre vjet, deri në fund të sezonit 2015/16. Kështu që, kur atij iu ofrua mundësia për t’u ribashkuar me ekipin e tij të zemrës në Kosovë nuk hezitoi aspak. Mbi të gjitha, në këtë kthim të Hysenagollit te Bashkimi ka kontribuar edhe ndalimi i sporteve me dorë në Shqipëri për shkak të koronavirusit. Ai para fillimit të këtij edicioni iu bashkua ekipit Goga Basket, por që nuk arriti ta luajë asnjë ndeshje.

“Me vjen shumë mirë që jam kthyer në ekipin e zemrës në Kosovë. Dëshira për t’u kthyer edhe një herë te Bashkimi u realizua dhe me padurim po e pres debutimin. Gjithashtu, në kthimin tim ndikoi edhe fakti që edicioni në Shqipëri nuk ka filluar”, u shpreh Hysenagolli, i cili karrierë ka bërë edhe te Partizani, Tirana, Kamza Basket, Peja e Teuta. “Ambientimi te Bashkimi nuk është aspak problem për mua, për shkak se kam luajtur për një periudhë të gjatë këtu dhe i njoh pothuajse të gjithë”.

Hysenagolli, që në Prizren njihet me nofkën “Lali” ka synime këtë edicion me skuadrën e Bashkimit, që nuk ka pasur start të mirë. Në nëntë ndeshje të luajtura, Bashkimi ka regjistruar katër fitore karshi pesë humbjeve dhe zë vendin e pestë në tabelë me 15 pikë të mbledhura.

“Fillimisht dua ta ndihmoj ekipin të ngjitet në tabelë dhe pastaj të pretendoj trofe me Bashkimin. Besoj se kemi një ekip të mirë dhe të kompletuar për t’i sfiduar skuadrat e tjera të Superligës”, shtoi Hysenagolli, 32-vjeçar. “Mendoj se atëherë kur isha te Bashkimi, cilësia ishte shumë më e fortë dhe niveli ishte më i lartë. Por shpresoj që këtë edicion të kthehet ai nivel për shkak se ka lëvizje të ekipeve në përgjithësi”.

Megjithatë, Hysenagolli nuk do ta gëzojë statusin e lojtarit vendor te Bashkimi. Këtë edicion, skuadrat kosovare kanë të drejtën për të angazhuar një basketbollist nga Shqipëria, që do të llogaritet vendor. Kështu ka vendosur Federata e Basketbollit e Kosovës pas formimit të Ligës Unike, e cila ende nuk ka filluar si pasojë e pezullimit të basketbollit në Shqipëri. E ky epitet te Bashkimi i takon organizatorit Julian Hamati, që iu bashkua javë më parë ekipit nga Prizreni. Te Bashkimi kanë insistuar se marrëveshja me Hysenagollin është deri në fund të këtij edicioni dhe kanë pranuar se presin që ai ta mbulojë me sukses pozitën e qendrës, në të cilën kanë çaluar deri më tash.

“Për shkak se në Shqipëri nuk ka filluar kampionati si pasojë e pandemisë, ne e kemi shfrytëzuar mundësinë për ta kthyer në ekip Endrit Hysenagollin që e njohim mirë, për shkak se ka luajtur te Bashkimi për tre vjet. Ai do të jetë një përforcim i mirë në pozitën e qendrës dhe do të mbetet në ekip deri në fund të edicionit, pavarësisht nëse në Shqipëri vendosin që të nisë kampionati vitin tjetër”, ka insistuar drejtori sportiv i Bashkimit, Artan Kurti. “Endriti do të llogaritet i huaj për shkak se statusin e vendorit do ta ketë Hamati dhe besoj se do të jetë ndihmë e madhe për në këtë sezon”.