Sport

FHK-ja reagon për panot anti-shqiptare në Banjallukë

Shpalosja e panove të ndryshme që Kosovën e cilësojnë pjesë të Serbisë, ka nxitur Federatën e Hendbollit të Kosovës që të martën të dalë me reagim publik. Pano të shumta anti-Kosovë janë shfaqur të premten e të shtunën në Banjallukë të Republika Srpska, entitetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Të shtunën në Banjallukë luajti kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas. Skuadra pejane përballë e kishte Borcin e famshëm të Banjallukës, dikur klubin më të mirë në Evropë. Derisa ndeshja e raundit të tretë të Kupës Evropiane kaloi pa telashe, jo gjithçka lidhur me të ishte korrekte dhe në frymë sportive.

Këtë e ka konfirmuar FHK-ja të martën me reagimin zyrtar, e po ashtu klubi pejan, Besa Famgas. Edhe media të Banjallukës kanë shkruar për shfaqjen e panove anti-Kosovë në afërsi të palestrës “Borik”, ku u luajt ndeshja.

Besa Famgas të shtunën pësoi 23:20 dhe u eliminua nga Kupa Evropiane. Ndeshjen e parë në Pejë e kishte fituar 24:22. Delegacioni i Borcit në Pejë nuk kishte hasur në ndonjë provokim. Por, më ndryshe ishte në Banjallukë. Me të hyrë në Banjallukë, në afërsi të hotelit ku u vendosën, lojtarët e Besës hasën në një pano me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe me katër “S”, simbol ky nacionalist serb. Banjalluka është kryeqendra e Republika Srpska, që ka qëndrim të fortë anti-Kosovë. Për shkak të ndikimit të serbëve, Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Bordi i FHK-së reagon ashpër për sjelljen anti-kosovare dhe anti-shqiptare në Banjallukë, me rastin e ndeshjes së kthimit të raundit të tretë të Kupës Evropiane në mes të klubit Borc nga Banjalluka dhe klubit tonë, KH Besa Famgas, të zhvilluar më 19 dhjetor 2020. Një ndeshje sportive, e cila do të duhej të ishte në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve të mira mes klubeve, dërgimin e mesazhit të paqes dhe frymës sportive, u shndërrua në arenë të shprehjes së nacionalizmit dhe mosdurimit etnik. Ndonëse provokimet kanë ndodhur jashtë palestrës ku është luajtur ndeshja, megjithatë nikoqiri dhe vetë Komuna e Banjallukës është dashur paraprakisht të ndërtojnë frymë tolerante”, shkruan, ndër të tjera, në reagimin e FHK-së.

Me reagimin është njoftuar edhe Federata Evropiane e Hendbollit. Në fakt, në FHK tregojnë që EHF-së i janë drejtuar me letër me të kuptuar se në Banjallukë janë shfaqur pano anti-Kosovë. Përgjegjësit për gara të EHF-së kanë thënë se në palestër çdo gjë do të jetë në rregull, ndërsa për veprimet jashtë sallës nuk kanë marrë përgjegjësi.

Te Besa Famgas kanë treguar për provokimet që janë bërë, duke shtuar se lojtarët për asnjë moment nuk kanë pasur ndonjë telash dhe se policia ka bërë sigurimin e hotelit dhe të autobusit gjatë hyrjes dhe daljes nga Banjalluka, si dhe gjatë udhëtimit nga hoteli për në palestër. Edhe në palestër nuk ka pasur telashe sa i takon sigurisë.

Por, në rrugë të Banjallukës, sipas Besa Famgas, ka pasur shumë pano anti-Kosovë dhe po ashtu harta të Kosovës me flamurin e Serbisë mbi të. Pano ka pasur të premten, ndërsa numri i tyre është rritur dukshëm të shtunën, në ditën e ndeshjes, dhe sidomos në rrugën drejt palestrës. Se lojtarët e Besës nuk janë të dëshiruar në Banjallukë, ishte bërë e ditur edhe me pano të shfaqura në qendër të qytetit.

Te Besa kanë njoftuar se pak huliganë kanë bërë thirrje për Kosovën si pjesë të Serbisë dhe kanë sharë shqiptarët, me rastin e hyrjes së lojtarëve të klubit pejan në palestër. Por, ata janë mbajtur larg nga policia. Flamujt, që ishin në palestër të premten, në ditën e ndeshjes janë vendosur në restorantin, që është pjesë e palestrës. Një prej tyre ishte i Serbisë. Ndërkohë, në palestër janë shfaqur vetëm flamuj të EHF-së.

Pas ndeshjes, në zhveshtore, lojtarët e Borcit kanë festuar duke kënduar këngë nacionaliste serbe, për Kosovën si pjesë të Serbisë.

“FHK-ja me të marrë informatën për gjendjen e krijuar para ndeshjes, ku u vërejtën disa pano anti-Kosovë, iu drejtua EHF-së dhe me fotografi nga vendi i ngjarjes, kërkoi që të krijohen kushte për ndeshje. Reagimi i EHF-së ishte që në ndeshje do të shfaqen vetëm simbolet e EHF-së e jo të shteteve prej nga vijnë skuadrat. Kjo u respektua, pasi është praktikë e EHF-së për raste të tilla. Sa u takon gjërave jashtë palestrës, EHF-ja na ka thënë se nuk mund të marrë masa”, ka thënë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së. “Është për keqardhje që sporti përdoret për gjëra të tilla. Ndërkohë, Besa Famgas ka dhënë shembull duke u treguar nikoqir i denjë”, ka shtuar Gjinovci.

Për të shmangur situata të tilla, UEFA ka ndaluar përballjet e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, me skuadra dhe përfaqësuese. Kjo për shkak të ndikimit serb në këtë vend. UEFA nuk lejon as ndeshjet e Kosovës me Rusinë dhe Serbinë. Ndërkohë, EHF-ja ndalon vetëm ndeshjet Kosovë – Serbi. Por, nëse situata si kjo e Besës përsëriten, atëherë edhe EHF-ja mund të ndryshojë qëndrim. Klubet kosovare kanë telashe vetëm kur përballen me ekipe nga Republika Srpska e jo nga pjesa tjetër e Bosnjë-Hercegovinës.

Ndërkohë, drejtuesit e Borcit kanë qenë në presion nga tifozët lidhur me zhvillimin e ndeshjeve ndaj skuadrës kosovare. Borci, në fakt, për herë të tretë luajti ndaj skuadrave kosovare, por në dy rastet e para nuk ka pasur presion nga tifozët. Borci ishte superior në ato ndeshje, por këtë herë me shumë vështirësi eliminoi Besën.

“Fitorja nuk ishte në plan të parë në rrjetet sociale, por ‘tradhtia’ ndaj popullit serb dhe pretendimet për njohje të Kosovës, ndonëse Borci për herë të tretë luajti atje”, shkruan në një koment të publikuar në sajtin nga Republika Srpska, “mondo.ba”.

Borci publikisht Besën e ka quajtur si klub nga “Kosova e vetëshpallur”. Ndërkohë, mediat e afërta me këtë klub po ashtu nuk e kanë quajtur Kosovën me emrin që ka. Por, kjo më shumë është bërë për konsum të brendshëm. Kampionia e Kosovës, Besa Famgas, ka luajtur me skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina, Borcin. Këtë fakt po hezitojnë ta pranojnë serbët e Bosnjës.

Image