Sport

Zuerichu nuk është i rrezikshëm në sulm pa Kolollin në përbërje

Benjamin Kololli te Kosova luan mbrojtës i krahut të majtë, kur nuk ka mungesa në përfaqësuese. Ndërkohë te Zuerichu po luan në repartin ofensiv. Dhe sulmi i Zuerichut është goxha shumë i varur nga reprezentuesi i Kosovës.

Kololli edhe në përfaqësuese ka luajtur së fundi në sulm, por për shkak të mungesave të rëndësishme në formacion. Ai vazhdimisht ka kërkuar të luajë më i avancuar te Kosova, por dëshira e tij nuk është marrë shumë për bazë.

Kololli i ka munguar Zuerichut në dy ndeshjet e fundit dhe nuk do të kthehet deri në janar. Pa të në përbërje, Zuerichu, që ka sulmin më të mirë në Superligën e Zvicrës, nuk ka realizuar gol.

Në kuadër të javës së 12-të luajti pa gola me Luzernin, kurse të dielën në kuadër të javës së 13-të, pësoi 1:0 nga Servette.

“Pa Kolollin, Zuerichu është i parrezikshëm”, ka shkruar gazeta e njohur zvicerane, Blick, të hënën. Sipas gazetës, pa Kolollin në formacion, Zuerichut po i mungon diçka në sulm.

Ai ka shënuar katër gola e ka bërë dy asistime deri më tash. Edhe lojtarët tjerë të rëndësishëm ofensiv, Antonio Marchesano e Toni Domgjoni, nuk kanë funksionuar pa Kolollin në fushë.

“Zuerichut po i mungon lojtari që udhëheq sulmin, Kololli”, ka pranuar trajneri i Servettes, Alain Geiger.