Sport

Golden State kampion i ri në NBA

Golden State Warriors kanë siguruar titullin e dytë brenda tre sezoneve duke mposhtur Cleveland Cavaliers në ndeshjen e pestë finale me rezultat 129-120.

“Luftëtarët” që mposhtën “Kalorësit” në finale të vitit 2015, u mposhtën nga të njëjtit në finalen e vitit të kaluar, por “hakmarrjen” e arritën sivjet.

Fitoren për “Luftëtarët” pothuajse ua siguroi Kevin Durant, i cili në fillim të këtij sezoni u transferua nga Oklahoma City Thunder, përkundër kritikave të mëdha që mori për këtë kalim.

Durant, i cili humbi finalet në vitin 2012, në ndeshjen e mbrëmshme i priu ekipit me 39 pikë.

LeBron James me 41 pikë dhe Kyrie Irving mbanin sulmin e Cavaliers, por mbrojtja e këtij ekipi thyhej lehtë nga “Luftëtarët”.