Sport

Ismajli, ndër më të mirët në ndeshjen e parë si titullar në Serie A

Spezia humbi të dielën ndeshjen me gjigantin italian, Interin, me rezultatin 2:1. Por skuadra italiane “fitoi” një mbrojtës për ndeshjet e ardhshme. Bëhet fjalë për mbrojtësin kosovar, Ardian Ismajli.

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Shqipërisë ishte ndër më të mirët në ndeshjen e tij të parë si titullar në kampionatin italian, Serie A. Ai luajti gjatë tërë ndeshjes që i takoi xhiros së 13-të të elitës së futbollit italian. Ismajli mori notën 7, bashkë me partnerin e tij në mbrojtje, Claudio Terzi, dyshe që nuk i lejoi hapësirë të madhe dyshes së sulmit të Interit, Romelu Lukakut dhe Lautaro Martinezit.

Vetë Ismajli thotë se është i kënaqur me paraqitjen e tij, derisa lëvdatat nuk i kanë munguar as nga të tjerët. Atij i vjen keq që me ekipin pësoi disfatë.

“Të luash kundër Interit dhe të kesh paraqitje të mirë, sigurisht që të bën të ndihesh mirë. Kam kaluar periudhë të keqe, sepse erdha me vonesë, pastaj koronavirusi. Më mori kohë ambientimi, por i kam lënë anash dhe jam duke menduar tash për të ardhmen. Mora komplimente nga trajneri dhe bashkëlojtarët. Më vjen keq që nuk arritëm ta shmangim humbjen, por me paraqitje jam i kënaqur”, ka thënë Ismajli të dielën për KOHËN.

Në fakt, për Ismajlin ishte vetëm ndeshja e dytë. Ai debutoi ndaj Juventusit më 1 nëntor. Luajti dy minutat e fundit të ndeshjes që Spezia e humbi me rezultatin 4:1.

Por mbrojtësi nga Prishtina thotë se paraqitja ndaj Interit i ka shërbyer për vetëbesim.

“Kjo ndeshje më ka shërbyer shumë për vetëbesim përballë një kundërshtari të fortë, ndaj sulmuesve të fortë”, është shprehur ai.

Ismajli, 24-vjeçar, te Spezia u transferua në shtator të këtij viti nga skuadra e Hajdukut të Splitit. Ai pret që të luajë rregullisht deri në fund të këtij edicioni te Spezia.

“Edhe pse në kohë pandemie, unë arrita ta realizoj transferimin nga Kroacia në Serie A. Është një e arritur e madhe, por unë nuk jam kënaqur me kaq, kam punuar që nga dita e parë kur iu bashkova Spezias. Kam punuar për ta siguruar vendin e titullarit. Tani pas kësaj paraqitjeje që e pata ndaj Interit, sigurisht që pres të luaj rregullisht deri në fund. Ndoshta do të kisha mundur të luaja edhe në ndeshjet e tjera, nëse nuk do t’i kisha telashet e fillimit. Por nuk do ta kthej kokën prapa, do të vazhdoj ta shoh të ardhmen. Nuk ka tjetër, vetëm se të luaj rregullisht”, ka deklaruar ai.

Ismajli është ambientuar edhe me jetën në Itali. Thotë se nuk i mungon asgjë. Me Spezian synon ta sigurojë mbijetesën në Serie A. Spezia zë vendin e 17-të me 11 pikë.

“Është gjithçka në rregull tani. Jam ambientuar mirë, të gjithë më kanë pritur mirë. Me klubin synojmë mbetjen në elitë. Shpresojmë ta arrijmë këtë synim e më pas të shohim”, ka deklaruar reprezentuesi i Shqipërisë.

Ismajli karrierën e ka nisur te 2 Korriku i Prishtinës. Pak ka qëndruar edhe te Prishtina si i huazuar, derisa te Hajduku i Splitit u transferua në fillim të vitit 2016. Fillimisht te ekipi i dytë i Hajdukut, por për një periudhë shumë të shkurtër ai u bë titullar te ekipi i parë i klubit kroat.

Atëbotë ishte pjesë e Shpresave të Kosovës. Luajti edhe në miqësoren e vitit 2018 për Përfaqësuesen A të Kosovës në fitoren 3:0 ndaj Shqipërisë. Por më pas vendosi të bëhej pjesë e Përfaqësueses së Shqipërisë. Për Shqipërinë që nga viti 2018 ka shënuar një gol në 14 paraqitje. Ai shpreson të ketë suksese edhe me Përfaqësuesen e Shqipërisë.