Sport

Bytyqi e sheh të ardhmen jashtë Norvegjisë dhe si pjesë e rregullt e Kosovës

Descriptive Text

Prishtinë, 20 dhjetor – Pasi ka përfunduar një stinor të suksesshëm te Vikingu, Zymer Bytyqi thotë se është koha ta bëjë një tjetër hap në karrierë, duke luajtur jashtë Norvegjisë.

Ai thotë se dyert e klubeve të tjera norvegjeze nuk i ka mbyllur, por synon ta vazhdojë karrierën jashtë Skandinavisë. Bytyqi insiston se është gati dhe se ka ardhur koha për ta bërë edhe një tjetër hap në karrierë.

“Është koha për të përparuar. Jam i gatshëm për sfidën e re”, ka thënë sulmuesi i krahut të dielën për KOHËN.

Ai në edicionin që përfundoi të shtunën, për Vikingun shënoi dhjetë gola dhe kontribuoi me 12 asistime në 29 paraqitje. Pas Veton Berishës ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës. Berisha e mbylli edicionin me gjashtë gola më shumë se Bytyqi.

Në fakt, Bytyqi e ka refuzuar vazhdimin e kontratës me synimin për të gjetur një mjedis të ri. Kontrata e tij vlen deri në fund të këtij muaji.

“Zyrtarisht e kam kontratën deri më 31 dhjetor, pastaj të shohim. Jam duke folur me disa klube, por ende nuk kam vendosur se ku do ta vazhdoj karrierën. Nuk ia kam mbyllur asnjë klubi në Skandinavi derën, po planet janë më të mëdha”.

Plane të mëdha kishte edhe në vitin 2013. Por u kthye në Norvegji te Vikingu në vitin 2015 pa e luajtur asnjë minutë për ekipin e parë të Salzburgut austriak.

Kthimi në Norvegji doli të ishte deri diku pozitiv për të. Ai nuk është dorëzuar dhe thotë se do të shkojë në një skuadër ku do ta ketë hapësirën e duhur për t’i treguar vlerat.

“Jam shumë i kënaqur me formën dhe paraqitjet e mia, tash dua të shkoj dhe të vazhdoj me formë të mirë në ndonjë klub tjetër. Është koha për të përparuar, por nuk e di ende se në cilin klub. Nuk kam vendosur ende, por besoj se do ta bëj zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nuk do të ngutem, do të vendos me kohë dhe në klubin e duhur. Ai klub që ka plane më të mira, unë do të shkoj. Por sigurisht se do të kërkoj një klub ku do ta kem hapësirën e duhur. Dëshira është një klub të madh në Evropë. Por të shohim”, është shprehur Bytyqi.

Thotë se ka nisur bisedimet me klube të Holandës, Belgjikës, Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë.

“Kam kontakt me disa klube dhe jam në dispozicion. Do të jetë një kohë interesante për mua. Unë kam luajtur një sezon të mirë dhe kam bërë gjëra të mira. Koha është për një sfidë të re”.

Bytyqi është edhe pretendent për Përfaqësuese të Kosovës. Ai debutoi për Kosovën në vitin 2014, në ndeshjen e parë pas lejes së marrë nga FIFA, kundër Haitit më 5 mars. Luajti nga minuta e 56-të në ndeshjen që përfundoi pa gola.

Bytyqi luajti edhe ndaj Suedisë B në fillim të këtij viti. U paraqit në fushë në miqësoren e luajtur në Doha të Katarit, në 45 minutat e pjesës së parë.

“Me shumë kënaqësi i bashkohem gjithnjë Kosovës, por është stafi që vendos për mua. Unë jam gati dhe nëse i duhen kualitetet e mia, jam në dispozicion. Unë jam që nga vera i gatshëm. Shpresoj të ftohem qysh në fillim të ciklit të ri për botëror”, ka thënë Bytyqi.