Sport

Kosova siguron përforcimin e parë për ndeshjet kualifikuese për Botëror

Betim Fazliji me shumë mundësi do të ishte pjesë e U-21 të Zvicrës në ndeshjet e fazës grupore të Evropianit, që luhen prej 25 deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. Por mbrojtësi i qendrës atë kohë pritet të jetë i grumbulluar me përfaqësuesen A të Kosovës. Kosova më 28 mars dhe 31 mars i luan ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2022, ndaj Suedisë në shtëpi dhe ndaj Spanjës në udhëtim. Dhe Fazliji pritet të jetë përforcimi i parë i Kosovës për ato ndeshje, por edhe të gjitha ndeshjet e tjera kualifikuese për Botërorin e vitit 2022.

Më herët këtë vit, Fazliji vendosi të luante për Kosovën, ndonëse ishte në planet e Zvicrës U-21. Madje ishte ftuar për ndeshjet e tetorit, por nuk kishte debutuar. Ai më herët kishte bërë të ditur se prej nëntorit do të jetë pjesë e Kosovës. Dhe kështu ndodhi. 21-vjeçari debutoi në miqësoren ndaj Shqipërisë, të luajtur më 11 nëntor. Por nuk e kishte dokumentacionin e kompletuar për të konkurruar për ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë, që ishin të fundit në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ndër të tjera, nuk ka pasur edhe pasaportë të Kosovës.

“Disa ditë më parë e kam marrë pasaportën e Kosovës e po ashtu letërnjoftimin. Edhe dokumentacioni në UEFA është duke u kompletuar. Pra do të jem në dispozicion të Kosovës për ndeshjet e muajit mars. Me marrjen e pasaportës, nuk ka më pengesa që unë të luaj për Kosovën në ndeshjet zyrtare”, ka thënë Betim Fazliji të premten mbrëma në një bisedë për KOHËN.

Ai luan për St. Gallenin në Superligën e Zvicrës dhe vlerësohet shumë lart. Deri edicionin e kaluar ka luajtur si mesfushori defanziv, ndërsa tani po luan si mbrojtës i qendrës. Si mbrojtës i qendrës po vlerësohet më shumë. Edhe ai vetë thotë se e ka gjetur veten më mirë në pozitën e re. Edhe te Kosova ishte aktivizuar në qendër të mbrojtjes dhe kishte debutim solid.

Fazliji është nga Lugina e Preshevës, ndërsa ka luajtur më herët për U-20 të Zvicrës.

“Është dashur të marrim edhe disa dokumente të Zvicrës, por më nuk ka pengesa. Vendimi nuk ka qenë i lehtë. Por është ndjenjë tjetër të luash për Kosovën. Unë jam rritur këtu, por nuk jam zviceran. Jam shumë i kënaqur që kam vendosur për Kosovën. Ndihem shumë mirë për vendimin. Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me asistentin e selektorit të Zvicrës dhe me drejtorin e përfaqësueses së Zvicrës. Më kanë thënë që të pres pasi mund të jem kandidat edhe për përfaqësuesen A të Zvicrës. Por iu kam thënë se kam vendosur. Kam vendosur aty ku më ka rrahur më shumë zemra”, ka shtuar Fazliji. Ai është pritur shumë mirë te Kosova. Thotë se që në ditën e parë është ndier sikur të jetë gjatë pjesë e Kosovës.

Kosova është në grup të vështirë për Botëror, por Fazliji është optimist.

“Është grup i fortë, por po shpresojmë që do të kalohet situata me COVID-19. Nëse vijnë të gjithë lojtarët dhe nëse luajmë me shikues, atëherë kualifikimi është i mundur”, thotë mbrojtësi i Kosovës.

Ai ka kontratë me St. Gallenin deri në vitin 2023, me opsion për të vazhduar kontratën edhe për një vit tjetër.

“Por më së largu në verë mund të largohem nga St. Galleni. Ka gjasë edhe në janar, nëse vjen ndonjë ofertë e duhur. Ka interesim nga klubet më të mëdha në Zvicër, por edhe nga ekipet e ligave elitare në Francë e Itali. Të shohim, nëse klubi merr një ofertë të mirë dhe oferta është e mirë edhe për mua, atëherë mund të largohem”.

Fazliji këtë edicion ka një gol në 11 paraqitje për St. Gallenin në elitën zvicerane. Deri në fund janë edhe dy ndeshje. St. Galleni është në garë për titull të kampionit. Dhe stabiliteti që sjell Fazliji në mbrojtje vlerësohet lart.