Sport

Rekordi i Milanit, shënoi të paktën nga dy gola në 14 ndeshje rresht

Milani vazhdon të mbetet në pozitën e parë në Serie A, pavarësisht dy barazimeve në dy ndeshjet e fundit.

Në duelin e së mërkurës, “rossonerët” barazuan në udhëtim me Genoan 2:2. Përveç një pike që morën, ia dolën që të vendosin rekord të ri.

Milani është skuadra e parë në histori të Serie A që ia doli të shënojë së paku 2 gola në 14 ndeshje radhazi në elitën e futbollit italian.

Rekordin e mbante Torino nga viti 1948, kur kishte realizuar nga dy e më shumë gola në 13 takime.

Pas 12 xhirove të luajtura këtë sezon, Milani zë vendin e parë me 28 pikë.

Skuadra e trajnerit Stefano Pioli ka seri prej 24 ndeshjeve radhazi pa humbje në Serie A, duke arritur 17 fitore dhe 7 barazime.

Humbjen e fundit në ligë e ka pësuar nga Genoa më 8 mars 2020.