Sport

Klubet e Superligës po i kthejnë sytë kah akademitë

Gjilani është klubi i radhës i futbollit në Kosovë që ka nënshkruar kontrata profesionale me lojtarë të akademisë. Të mërkurën gjilanasit prezantuan pesë lojtarë me të cilët firmosën kontrata profesionale deri në vitin 2025. Të gjithë lojtarët janë pjesë e grupmoshës U19, që drejtohet nga trajneri Premton Muja.

Katër nga pesë futbollistët që kanë firmosur me Gjilanin janë të lindur në vitin 2002, kurse vetëm një në vitin 2003. Art Ramadani, që luan si sulmues krahu, Redon Ismaili (mesfushor), Fatlum Leka (qendërsulmues), Omer Shemshiji (mesfushor) dhe Ismet Hamdiu (sulmues krahu), janë futbollistët që do të paguhen nga e mërkura e 16 dhjetorit. Drejtori i ekipit të Superligës së Kosovës, Sevdail Robelli, ka thënë për KOHËN se Gjilani edhe në të kaluarën ka nënshkruar kontrata me lojtarë të rinj, por, sipas tij, tani ata do të kenë hapësirë më të madhe që të luajnë.

“Gjilani edhe më herët ka nënshkruar kontrata me lojtarët e rinj, mirëpo tash e tutje do të punojmë që lojtarëve nga akademia t’u krijohet edhe me tepër hapësirë në ekipin e parë. Pra, të kenë minutazhë”, ka deklaruar Robelli.

Këtë veprim Gjilani e ka bërë vetëm disa ditë pas emërimit të trajnerit Bylbyl Sokoli, i cili debutoi me fitore në Kupë ndaj KEK-ut. Sokoli në postin e trajnerit te Gjilani ka zëvendësuar Gentjan Mezanin. Sokoli ka thënë se plani ka qenë i klubit për të firmosur me lojtarët e akademisë, kurse ai premton personalisht se atyre do t’iu japë hapësirë.

“Këto janë planet e Gjilanit, të cilat janë hartuar nga Sevdai Robelli dhe Sallah Sherifi, kurse unë do të vazhdoj me ua dhënë rastin futbollistëve të rinj si gjithmonë”, ka insistuar Sokoli.

Kjo praktikë e Gjilanit është ndjekur më herët edhe nga klubet e tjera kosovare që garojnë në elitë. Në vitet e fundit Llapi ka qenë ndër klubet më aktive sa u përket kontratave me talentet e reja. Madje në shumë raste trajneri i Llapit, Tahir Batatina, u ka dhënë mundësinë edhe që të luajnë. Sulmuesi i krahut, Valmir Veliu, është ndër lojtarët që ka shkëlqyer në moshë të re me llapjanët dhe si rezultat i kësaj është fituar në disa ndeshje nga Kosova U21. Madje Veliu ishte edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në miqësoren e luajtur në fillim të këtij viti të luajtur në Doha kundër Suedisë. Krahas Veliut, edhe Hajdin e Bekim Maliqi janë paraqitur me mjaft sukses këtë edicion me ekipin e parë të Llapit. Batatina ka arritur të bindë edhe disa lojtarë të tjerë të rinj të klubeve tjera kosovare, me të cilët ka nënshkruar kontrata.

“Strategjia e Llapit është që të mendojë më larg, jo vetëm për një vit. Unë kam shumë talente në klub, të cilëve u kemi ofruar kontrata. Kjo është strategjia e Llapit, që të punojë me të rinj dhe t’u japë atyre hapësirë edhe në ekipin e parë. Këtë e kam bërë vazhdimisht edhe do të vazhdoj ta bëj. Daku, Alidema, Salihu, Veliu e disa të tjerë janë dëshmi se Llapi mendon për të lojtarët e talentuar”, kishte thënë Batatina për KOHËN.

Trajneri dhe njohësi i futbollit, Erdin Hashani, ka deklaruar se klubet po veprojnë shumë mirë që po iu ofrojnë kontrata lojtarëve. Mirëpo, sipas tij, atyre duhet t’u japin mundësi edhe për të luajtur me ekipin e parë. Hashani ka insistuar se në fund të fundit gjëja më e mirë është që të rinjve po u ofrohen kontratat.

“Po shohim se është rritur numri i klubeve që u ofrojnë kontrata lojtarëve të shkollës së futbollit. Por, shumë prej tyre nuk u jepet rasti të luajnë për ekipin e parë. Mendoj se klubet dhe trajnerët duhet t’u japin hapësirë lojtarëve që vijnë nga akademia. Si do që të jetë, edhe nënshkrimi i kontratave është një veprim i mirë, pasi lojtari pas një kohe mund të luajë edhe në Evropë dhe do të përfitonte klubi. Kemi disa lojtarë që nga futbolli i Kosovës kanë kaluar në Evropë dhe kjo është pozitive”, tha Hashani.

Klubi që vazhdimisht ka nënshkruar kontrata me lojtarë të akademisë ka qenë Prishtina, që vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë, por hapësira në ekipin e parë ka qenë e kufizuar. Aktualisht pjesë e ekipit të parë, sipas faqes zyrtare të klubit, janë lojtarët e rinj si Dhurim Zhuri, Albin Prapashtica, Ermal Vitija dhe Erdin Dushi. Njëjtë ka vepruar edhe Trepça ’89, e cila në disa raste ka ofruar edhe lojtarë të rinj nga ekipet tjera. Në dy vjetët e fundit edhe Ballkani ka nënshkruar kontrata me lojtarë të rinj si dhe ka sjellë në ekip edhe disa nga ekipet e tjera. Edhe kampionia në fuqi, Drita, në disa raste ka ofruar kontrata për lojtarët e akademisë.