Sport

Ajzeraj, këmbëshpejti që nuk e kishte besimin e Skënderbeut, por që po shkëlqen te Drita

Me paraqitjet e mira në pjesën e dytë të edicionit të kaluar, ku arriti të fitojë titullin e kampionit dhe pati ndeshje pozitive në garat evropiane, futbollisti Almir Ajzeraj ia ka dalë të fitojë një vend në formacionin bazë të skuadrës së Dritës në edicionin aktual (2020/2021).

Ajzeraj është ndër lojtarët më të dalluar në stinorin vjeshtor te kampionia në fuqi e Kosovës në futboll. Golat, asistimet dhe fitimi i penalltive, janë prej kontributeve të 23-vjeçaritit që e ndihmuan Dritën të bëhet lidere e kampionatit pas 17 xhirove. Formën e mirë, Ajzeraj thotë se e ka arritur falë punës së madhe që ka bërë. Ai nuk harron t’i falënderojë bashkëlojtarët dhe trajnerin Ardian Nuhiu.

“Po besoj që është starti im më i mirë, shpresoj që të vazhdoj në këtë mënyrë, si unë ashtu edhe ekipi. Synimet e mia me Dritën janë që të jap gjithmonë më të mirën time në mënyrë që ta ndihmoj klubin në arritjen e objektivave madhore që i ka. Jam pjesë e Dritës dhe shpresoj të jem edhe shumë gjatë, sepse më besuan në një kohë të vështirë për mua. Kohën time deri tani te Drita e vlerësoj pozitive, sepse erdha nga një periudhë që nuk kisha shumë minuta në këmbë dhe gradualisht fillova ta marr veten. Kjo gjithsesi falë trajnerit Ardian Nuhiu dhe stafit teknik të tij”, tha Ajzeraj në një bisedë për KOHËN. Sipas tij, te Drita nuk ka lojtarë titullarë apo rezervistë. Ajzeraj insiston se të gjithë janë lojtarë të mirë, pa dallim.

“Mendoj që te Drita nuk ka dallim lojtar titullar apo rezervë, sepse të gjithë lojtarët që janë këtu kanë kualitet që ta fillojnë takimin nga minuta e parë. Këtë e kemi dëshmuar në shumë ndeshje. Konkurrenca është e madhe, sepse dihet që synimet e klubit janë gjithmonë të mëdha. Nëse sot jam unë titullar, nesër do të jetë dikush tjetër në vendin tim. Neve na mbetet të punojmë, të japim maksimumin dhe të presim vendimin e stafit teknik”, u shpreh këmbëshpejti i skuadrës gjilanase.

Sipas futbollistit të lindur në Istog dhe të rritur në Prishtinë, skuadra ku luan aktualisht, veçohet me shumë gjëra të mira. Ajzeraj thekson se pa qenë pjesë e klubit Drita, nuk mund të tregosh të veçantat e tij.

“Dritën besoj që së pari e veçon organizimi i mirë i klubit, stabiliteti financiar, duke filluar nga dy presidentët e deri te njeriu i fundit në klub, secili i kryen detyrat e tij me përgjegjësinë më të madhe. Dritën e veçon harmonia e madhe në klub dhe pavarësisht rezultateve, atmosfera është gjithmonë pozitive. Dritën e veçojnë tifozët ‘Intelektualët’ që për mua janë më të mirët në Kosovë. Ka shume gjëra të tjera që pa qenë pjesë e klubit nuk mund të shpjegohen”, deklaroi Ajzeraj. Ai ka folur edhe për skuadrat konkurrente për titull dhe mendon se gara do të jetë interesante. “Skuadrat konkurrente të Dritës mendoj që janë Ballkani, Prishtina, por padyshim që edhe Gjilani dhe Feronikeli janë afër dhe ende gjithçka është e hapur”.

I rritur te “Ramiz Sadiku”, synon Evropën

Almir Ajzeraj është rritur te klubi i “Ramiz Sadikut” në Prishtinë. Më pas ka veshur edhe fanellat e disa ekipeve të tjera kosovare, ku vlerëson se ka pasur mjaft suksese. Ai thekson se titulli i kampionit me Dritën është e arritura më e madhe deri më tani, por premton se nuk do të ndalet dhe do të punojë shumë që të arrijë suksese të tjera. “Secili sukses e ka të veçantën e tij, duke filluar nga klubi ku kalova 11 vjet, ‘Ramiz Sadiku’, aty u bëra kampion i Kosovës U-15 , nënkampion i Kosovës U-17 dhe kampion i Kosovës U-19. Në klubin e Flamurtarit kam luajtur në Ligën e Parë dhe arritëm që pas gjashtë vjetëve ta rikthejmë në Superligë duke u shpallur kampion të Ligës së Parë. Aty edhe mora ftesën e parë për të veshur fanellën e Kosovës U-21. Titullin e kampionit me Dritën do ta veçoja më së shumti, sepse përveç që ishte titulli i parë i Superligës për mua, ishte edhe një garë e fortë dhe interesante deri në xhiron e parafundit dhe ato emocione e gëzime nuk i kisha përjetuar më parë”, u shpreh Ajzeraj. Falë paraqitjeve të mira, ai kishte marrë dhe ftesën e Kosovës U-21. Por, synimet e tij janë që një ditë të luajë edhe për ekipin A të Kosovës dhe në ndonjë klub të madh evropian. “Kam pasur fatin të vesh fanellën e Kosovës U-21, për mua ishte një ëndërr e bërë realitet, sepse është nder dhe krenari e madhe të mbroj ngjyrat e vendit tim. Ëndrra ime është që në të ardhmen të veshi fanellën e Kosovës A, dhe po ashtu të bëhem pjesë e futbollit në nivelet e larta evropiane”, tha sulmuesi i krahut. Për Ajzerajn kanë filluar të interesohen menaxherë dhe klube të ndryshme, por ai thotë se ende nuk ka asgjë konkrete. “Ende nuk ka asgjë konkrete sa u përket ofertave, gjithsesi unë do të vazhdoj të punoj shumë dhe shpresoj që në të ardhmen të luaj në futbollin evropian”, shtoi futbollisti i Dritës.

Te Skënderbeu nuk besuan në cilësitë e tij

Almir Ajzeraj ka qenë edhe pjesë e Skënderbeut të Korçës. Kjo ishte skuadra e tij e vetme në të cilët kanë luajtur jashtë Kosovës. Ai ishte transferuar tek ekipi shqiptar në verën e vitit 2018 nga skuadra e Flamurtarit dhe qëndroi deri në janar 2019. Më pas u huazua te Ballkani deri në verën e vitit 2019. Ajzeraj u rikthye sërish te Skënderbeu, por që nuk gjeti hapësirë dhe iu bashkua Dritës në janar të këtij viti. Kalimin te Skënderbeu, ai e vlerëson si hap në kohën jo të duhet, por beson që sadopak, i ka shërbyer që të rritet si lojtar. 

“Gjate karrierës sime fatmirësisht nuk kam pasur lëndime serioze dhe shpresoj që mos të kem as unë dhe asnjë futbollistë në të ardhmen. Hapësirë të vogël në ekip kam pasur kur u transferova nga Flamurtari në Skënderbe, aty mendoj që kam bërë maksimumin, por nuk më është dhënë rasti ta dëshmoj veten dhe cilësitë e mija. Te Skënderbeu mund të them që nuk kanë pasur besim tek unë për shkak që nuk u aktivizova aq sa duhej që të dëshmoj veten. Probleme të natyrave financiare nuk kam pasur”. Ajzeraj debutoi me Dritën në garat evropiane, ku luajti si titullar në të gjitha ndeshjet kualifikuese. Sipas tij, suksesi që e arriti Drita ishte i veçantë, pasi nuk i kishte ndodhur që një skuadër të kalonte deri në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. “Po, kam luajtur në garat evropiane, isha startues në të gjitha ndeshjet në Evropë. Ishte ndjenjë e jashtëzakonshme, sepse arritëm diçka që nuk kishte arritur askush më parë në futbollin kosovar. Shpresoj të përjetoj përsëri diçka të tillë, pse jo me suksese edhe më të mëdha”, u shpreh Ajzeraj. Almir Ajzeraj, që është rritur si lojtar te “Ramiz Sadiku”, ka luajtur edhe për skuadrat e tjera kosovare, si Flamurtari, KEK-u dhe Ballkani. Tek ekipi nga Suhareka ishte i huazuar nga Skënderbeu, verën e vitit të kaluar. Që nga janari është pjesë e Dritës, me të cilën skuadër ka kontratë deri në qershor të vitit 2022.