Sport

Nxehet gara për Garcian

Kampioni i Premier Leagues, Liverpooli është futur në garë për shërbimet e mbrojtësit e Manchester Cityt, spanjollin Eric Garcia ka raportuar të mërkurën “Diario AS”.

Garcia ka kontratë me Cityn deri në fund të këtij edicioni dhe mund të largohet nga ekipi anglez si futbollist i lirë.

Krahas Liverpoolit, interesim për Garcian ka kohë që ka shprehur edhe Barcelona. 19-vjeçari, si futbollist është zhvilluar te Barcelona përpara se t’i bashkohet të rinjve të Cityt në vitin 2017.

Garcia në janar mund të firmosë parakontratë me cilindo klub dhe për transferimin e tij, tashmë po luftojnë Liverpooli e Barcelona. Madje, Barcelona që nga vera e shkuar ka bërë përpjekje për ta kthyer Garcian në “Camp Nou” por që oferta e ekipit spanjoll është refuzuar nga City.

Garcia këtë sezon ka shtatë paraqitje me Cityn në të gjitha garat.