Sport

Telashet me vizë të punës pengojnë rrugën e Hajrullahut në NFL

Klubi i ligës së futbollit amerikan NFL, Carolina Panthers, duhet ta largojë nga skuadra goditësin shqiptar Lirim Hajrullahu, për shkak të telasheve në lidhje me vizën e tij të punës në SHBA, raporton Tom Pelissero i “NFL Network”.

Panthersat vendosën ta transferonin Hajrullahun, pasi e sollën atë së bashku me dy goditës tjerë më herët këtë muaj.

Hajrullahu ka kaluar gjashtë stinorë në ligën kanadeze të futbollit amerikan CFL dhe ishte dy herë në ekipin e Yjeve, para se të transferohej nga Los Angeles Rams për kampin stërvitor këtë verë.

Ramsat e liruan atë pas fundit të kampit.

Hajrullahu synon të kërkojë një mundësi tjetër stinorin e ardhshëm në ligën NFL, kur ta zgjidhë problemin e vizës së punës.

Hajrullahu ka lindur në Kosovë, para se të emigronte në Kanada si refugjat.