Sport

FFK-ja, e hapur që ndeshja e parë me Spanjën të luhet në terren neutral

Më 31 mars të vitit të ardhshëm duhet të luhet ndeshja në mes të Spanjës dhe Kosovës, në kuadër të grupit B të eliminatoreve evropiane për Botërorin e futbollit, “Katari 2022”. Bëhet fjalë për ndeshjen në të cilën Spanja është vendase e që në rrethana të zakonshme duhet të luhet brenda territorit të Spanjës.

Por, Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe media të ndryshme ndërkombëtare nuk kanë përjashtuar mundësinë që të ketë telashe për zhvillimin e kësaj ndeshjeje në territorin spanjoll. Nga Qeveria e Spanjës është thënë se do të respektohen rregullat e FIFA-s, por kanë thënë se me FIFA-n do të shikojnë për modalitetet për organizimin e kësaj ndeshjeje.

Prej kur është tërhequr shorti, të hënën, ka pasur raportime për ndeshjen mes Spanjës e Kosovës. Një prej mundësive është që Spanja të vendosë për të organizuar ndeshjen në terren neutral. Një mundësi e tillë do të ishte e pranueshme për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Tre prej katër kundërshtarëve të Kosovës në grup nuk njohin Kosovën si shtet. Por me Greqinë e me shumë mundësi edhe me Gjeorgjinë, nuk pritet të ketë komplikime për ndeshjet si mysafir dhe ato në shtëpi.

Vetëm Suedia prej kundërshtarëve të grupit njeh shtetin e Kosovës. “Dardanët” kualifikimet do t’i nisin pikërisht kundër suedezëve, më 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se deri më tash nuk ka asnjë shkresë apo qëndrim zyrtar për ndeshjen e 31 marsit, qoftë nga Spanja apo FIFA, si organizatore e kualifikimeve. Sipas tij, Kosova është e gatshme që ndeshjen e 31 marsit ta luajë në Spanjë, por nuk e ka problem nëse Federata e Futbollit të Spanjës vendos për terren neutral.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Kosova do të luante në terren neutral. Ndeshjen e parë të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, Kosova e luajti në Itali kundër Moldavisë që ishte vendase. Ndeshjen e 3 shtatorit, Federata e Moldavisë vendosi ta organizojë në Itali për shkak se Moldavia nuk e njeh Kosovën. Ndeshja kualifikuese për Botërorin “Rusia 2018” në mes të Ukrainës dhe Kosovës ishte zhvilluar në Krakow të Polonisë, më 9 tetor të vitit 2016. Ukraina ende nuk lejon hyrjen e sportistëve kosovarë në territorin e saj.

“Nuk ka diçka të re. Nuk e kemi dërguar asnjë letër dhe nuk kemi pranuar ndonjë të tillë nga Federata e Spanjës apo FIFA. FIFA është ajo që e ka përcaktuar shortin dhe ne do t’i përmbahemi. Për ne është gjithçka në rregull, pra jemi të gatshëm të shkojmë në Spanjë për ta zhvilluar ndeshjen që e kemi në fund të muajit mars, si dhe që spanjollët të vijnë në Prishtinë”, ka thënë Ademi të premten për KOHËN. “Në fakt, spanjollët patjetër duhet që në stadiumin tonë ta luajnë ndeshjen e dytë dhe kjo është më se e qartë. Kosova si vendase luan në Prishtinë dhe të gjithë kundërshtarët e grupit e kanë këtë parasysh dhe duhet të vijnë”.

I pari i FFK-së ka pranuar se Spanja mund të veprojë sikurse Ukraina e Moldavia dhe të vendos që ndeshjen me Kosovën ta luajë në terren neutral. Thotë se ende nuk ka një njoftim të tillë zyrtar, por insiston se Kosova do të jetë e gatshme për ta luajtur ndeshjen e parë me Spanjën kudo që përcakton federata spanjolle.

“Spanja mund të vendosë që ndeshja te luhet në terren neutral, ne jemi të hapur për çdo opsion”, shtoi Ademi.

Gjeorgjia e pret Kosovën më 2 shtator të vitit të ardhshëm derisa Greqia më 14 nëntor, në ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues. Kosova e kishte kundërshtare Greqinë edhe në Ligën e Kombeve dhe ndeshjen pa telashe e luajti në Athinë. Kryetari i FFK-së, Ademi pret që edhe dueli me Gjeorgjinë të zhvillohet në atë vend. Ademi përmend se finalja e plejofit të Ligës së Kombeve ishte luajtur në Tbilisi dhe Kosova do të ishte pjesë e saj sikur ta fitonte gjysmëfinalen ndaj Maqedonisë së Veriut.

Për Kosovën është hera e dytë që do të paraqitet në kualifikimet për Kampionatin Botëror.

“Me Greqinë ne luajtëm në Athinë se fundi për Ligën e Kombeve dhe nuk besoj se do të kemi telashe edhe për ndeshjen kualifikuese të Botërorit. Ndërsa edhe me Gjeorgjinë pres të luajmë atje, për shkak se po të ishim kualifikuar në finale të plejofit të Ligës së Kombeve, do të luanim në Tbilisi”, thotë Agim Ademi. “E mira e gjithë kësaj është se të gjithë kundërshtarët duhet të luajnë në Prishtinë kur jemi ne vendës”.

Një ditë pas tërheqjes së shortit ishin deklaruar nga Qeveria e Spanjës. Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya, kishte thënë se e drejta ndërkombëtare dhe rregullat e FIFA-s janë dy gjëra të ndara.

“Kjo çështje zgjidhet me rregullat e FIFA-s. Ajo ka rregullat e saj. Çështja nuk zgjidhet me të drejtën ndërkombëtare për njohjen e shteteve. Modalitetet e ndeshjeve me Kosovën do t’i diskutojmë me FIFA-n, ashtu si bëjmë çdo herë, në përputhje me rregullat e futbollit”, ka thënë Gonzalez Laya, ndër të tjera.

Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe në të kaluarën jo gjithnjë ka pasur tretman të duhur ndaj sportistëve kosovarë. Përfaqësuesja e Kosovës shumë ndeshje miqësore i ka luajtur në vende të treta, por për arsye të ndryshme, jo të natyrës politike. Luajti me Suedinë në Doha të Katarit, kurse më herët kishte luajtur me Shqipërinë në Zvicër dhe me dy përfaqësuese afrikane në Francë.