Sport

Shkëlqimi i Ronaldos ndaj Barçës

Cristiano Ronaldo vazhdon të vendosë rekorde në futboll.

Ylli portugez ka shënuar dy gola në fitoren e Juventusit në udhëtim te Barcelona 3:0, të martën mbrëma.

Ronaldo arriti shifrën e 14 golave të shënuar në “Camp Nou”, duke llogaritur edhe golat që i kishte realizuar sa ishte pjesë e Real Madridit.

Tani, stadiumi i Barçës është arena ku Ronaldo ka shënuar më së shumti gola si mysafir.

Përveç fitores së Juventusit ndaj Barçës, ishte edhe një triumf i Ronaldos kundër Lionel Messit.

Pas ndeshjes, portugezi deklaroi se asnjëherë nuk e ka parë Messin si rival.

Sipas tij, kanë qenë mediat ato që e kanë bërë këtë krahasim.

Ronaldo insiston se çdoherë ia ka kaluar shumë mirë me Messin dhe nuk kanë pasur asnjë problem.

Në total në Ligën e Kampionëve, 35-vjeçari ka shënuar 134 gola në 174 ndeshje dhe është shënuesi më i mirë në histori të garës më të madhe evropiane për klube.