Sport

Beqiri: Ishte e pabesueshme kur mësova se kam tumor

Descriptive Text

Portieri i Trepçës ’89, Arben Beqiri, i cili ka qenë i diagnostifikuar me tumor, ka rrëfyer se problemet e para shëndetësore i kishin filluar gjatë stërvitjeve.

Beqiri në Sporti Total të KTV-së, ka thënë se dhimbjet në stomak i kishin filluar derisa po stërvitej dhe menjëherë ishte drejtuar për konsultë mjekësore.

“Nga mjeku në Mitrovicë kam marrë udhëzimin për t’u drejtuar në Prishtinë. Më pas më është caktuar diagnoza dhe pas pranimit të lajmit, ka qenë shumë e vështirë dhe e pabesueshme për mua. Pasi që tërë jetën time kam bërë aktivitet sportiv, ishte me të vërtetë e pabesueshme. Kam filluar terapinë dhe më pas kam mësuar se kjo sëmundje është e shërueshme”, ka deklaruar Beqiri.

Portieri i skuadrës mitrovicase ka deklaruar se familja, shoqëria dhe anëtarë nga klubet kosovare, ishin motivet kryesor për tejkalimin e kësaj sfide.

“Motivi kryesor ka qenë familja ime sepse nuk më ka lënë vetëm dhe m'i ka plotësuar kushtet. Kam pasur përkrahje edhe nga ana e skuadrës, klubeve kosovare, federatës”, ka shtuar ai.

Ai ka falënderuar gjithashtu edhe organizatat sportive që kanë ndihmuar në aspektin financiar për shërimin e tij.

Beqiri ka kaluar telashet shëndetësore dhe është kthyer në stërvitje. Shpejt pritet të kthehet edhe në lojë. Panelistët tjerë, Erdin Hashani, Armend Thaçi e Ilir Blakçori kanë vlerësuar lart portierin Beqiri dhe e kanë përgëzuar për shërimin.