Sport

Sevilla e Reali luajnë pas humbjeve në Champions

Descriptive Text

Sevilla do të jetë nikoqire e Real Madridit në fundjavën e La Ligës spanjolle.

Takimi që do të luhet në stadiumin “Ramon Sanchez-Pizjuan” të shtunën në orën 16:15, do t’i takojë xhiros së 12-të.

Të dyja ekipet vijnë në këtë ballafaqim pas humbjeve në mesjavë në Ligën e Kampionëve. Sevilla u mposht në shtëpi nga Chelsea 4:0, me katër golat që i shënoi Olivier Giroud.

Real Madridi nga ana tjetër udhëtoi në Kiev për t’u përballur me Shakhtar Donetskun në ndeshjen që i duhej fitorja, por pësoi disfatë 2:0 për herën e dytë nga ukrainasit në fazën e grupeve këtë sezon, transmeton KOHA.

Dy ekipet kanë formë thuajse të njëjtë në ligë. Skuadra e Julen Lopeteguit është në pozitën e pestë në La Liga, me vetëm një pikë më pak se Reali i Zinedine Zidanet në vendin e katërt, por që e ka një lojë më pak të zhvilluar.

Madrilenët nuk kanë rekord të mirë kundër andaluzianëve, por do të mundohen që ta lënë prapa disfatën që e pësuan nga Alavesi javën e kaluar, që ngjalli kritika të mëdha drejt trajnerit francez.

Sevilla nga ana tjetër ka regjistruar tri fitore të njëpasnjëshme në ligë.

Jules Kounde, Lucas Ocampos, Joan Jordan, Munir El Haddadi, Fernando dhe Luuk de Jong pritet të jenë të gatshëm për Sevillan në këtë ndeshje.

E te Reali do të mungojnë Eden Hazard dhe Federico Valverde, kurse në dyshim për të luajtur janë Dani Carvajal e Sergio Ramos.

Barcelona të shtunën në orën 21:00 do të luajë në udhëtim te Cadizi. Do të jetë ballafaqimi i 25-të ndërmjet këtyre dy skuadrave në La Liga.

Në takimet e vetme të këtij shekulli, ato të edicionit 2005/06, Barça fitoi 1:0 në shtëpi dhe 3:1 në udhëtim.

Në fakt, ekipi nga Katalonja i ka marrë gjashtë fitore të njëpasnjëshme që prej humbjes 4:0 në vitin 1991, kur Barcelona veçse e kishte fituar titullin.

Fitorja tjetër e Cadizit kundër Barcelonës në shtëpi ose mysafir ka qenë ajo e vitit 1982, kur triumfoi minimalisht, 1:0.

Lideri momental i La Ligës, Real Sociedadi, luan të dielën nga ora 21:00 në udhëtim tek Alavesi.