Sport

FIFA aprovon pushimin e lehonisë për futbollistet

Foto: AP

Futbollistet profesioniste do ta kenë të garantuar pushimin e lehonisë me rregullat e reja të aprovuara nga FIFA të premten, ka thënë presidenti i federatës ndërkombëtare të futbollit, Gianni Infantino.

Nën rregullat e reja, të aprovuara nga vendimet e marra nga këshilli i FIFA-s të premten, një lojtareje do t’i jepen 14 javë të pushimit të lindjes dhe klubi do të obligohet ta ri-integrojë atë në skuadër, si dhe t’i ofrojë përkrahjen adekuate mjekësore, transmeton KOHA.

“Nëse jemi serioz në shtytjen e lojës së femrave, duhet t’i shohim të gjitha aspektet”, ka thënë Infantino për gazetarët.

“Futbollistet kanë nevojë për stabilitet në karrierat e tyre dhe nëse e marrin pushimin e lehonisë, nuk duhet të shqetësohen kur të jenë të gatshme të luajnë sërish”, shtoi ai.

Rregullat do të përfshihen në rregulloren e FIFA-s mbi statusin dhe transferimin e lojtareve, si dhe do të zbatohen në gjithë botën.

Infantino e nisi konferencën virtuale me nderime për legjendën e futbollit argjentinas, Diego Maradona, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor.

Këshilli po ashtu vendosi të organizojë një edicion shtesë të stilit të vjetër të Kupës së Botës për klube me shtatë skuadra në Japonia 2021, përfshirë edhe kampionët e secilit kontinent.

Infantino gjithashtu ngriti zërin për përkrahje të një agjencie ndër-sportive për t’i trajtuar abuzimet seksuale në sport, dhe shtoi se do të nevojitej edhe ndihma e qeverive për shkak se federatat sportive janë të limituara në fuqinë e tyre për të hetuar.

I pari i FIFA-s ka folur edhe për sistemin që po kritikohet shumë, që ndryshe njihet si VAR, duke thënë se ka qenë pozitive për futbollin dhe se qartë nuk po e dëmton futbollin, dhe nënvizoi se është vënë në funksion vetëm në dy vjetët e fundit.