Sport

Skandali i testit të Suarezit, Paratici nën hetime

Foto: Reuters

Fabio Paratici, drejtori sportiv i Juventusit është nën hetime për shkak se dyshohet se është munduar ta përshpejtojë kërkesën e Luis Suarezit për shtetësinë italiane.

Sulmuesi e kaloi testin e gjuhës italiane në muajin shtator në Universitetin për të Huajt në Perugia, me synimin për të nënshkruar për kampionin e Serisë A të Italisë.

Juventusi kishte dëshirë që Suarez të kishte nënshtetësinë e Italisë për ta shmangur tejkalimin e numrit për lojtarët jo-evropianë në skuadër. Por, është thënë se për 33-vjeçarin, gruaja e të cilit është me origjinë nga Italia, ka pasur tretman favorizues.

Gjiganti nga Torino ka dalë në mbrojtje të Paraticit.

“Klubi i Futbollit Juventus konfirmon se Fabio Paratici është njoftuar në lidhje me të drejtën e mbrojtjes. Krimi i pretenduar nga Zyra e Prokurorit Publik në Gjykatën e Perugias është ekskluzivisht nga neni 371 i Kodit Penal. Klubi rithekson fuqishëm punën korrekte të Paraticit dhe beson se hetimet që po vazhdojnë, do të ndihmojnë në sqarimin e pozitës së tij brenda një kohe të arsyeshme”, thuhet në komunikatën e klubit të Juventusit.