Sport

Ndeshjet e fundit parakualifikuese luhen në Prishtinë

Dy ndeshjet e fundit në kuadër të raundit të parë parakualifikues për Kampionatin Botëror të basketbollit të vitit 2023, Përfaqësuesja e Kosovës do t’i luajë në Prishtinë.

Kështu ka njoftuar të premten Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Në fakt Bordi i FIBA Evropës të premten ka marrë vendim që ndeshjet e grupit B të raundit të parë parakualifikues, pjesë e të cilit është Kosova, të luhen në Prishtinë. Këto katër ndeshje do të zhvillohen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe do të vendosin se cilat prej katër përfaqësueseve të grupit do të avancojnë në raundin e dytë parakualifikues për Botërorin e vitit 2023.

“Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që ndeshjet e Grupit B të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023 të mbahen në Prishtinë. FIBA kështu vendosi t’ia besojë FBK-së edhe një organizim madhor, siç është dritarja e tretë e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës”, shkruan ndër të tjera në njoftimin e FBK-së.

Krahas Kosovës, edhe Sllovakia, Islanda e Luksemburgu do të luajnë në Prishtinë. Më 18 shkurt janë ndeshjet Sllovakia – Islanda dhe Kosova – Luksemburgu. Ndërsa më 20 shkurt janë ndeshjet Kosova – Sllovakia dhe Luksemburgu – Islanda.

FBK-ja në fakt ka aplikuar për të organizuar këto ndeshje. Edhe sikur ndeshjet të luhen në kushte normale, pa kërkesa shtesë nga FIBA për shkak të pandemisë, Kosova në këto dy ndeshje do të ishte vendase.

Në fund të nëntorit, katër ndeshje ishin luajtur në Bratislavë të Sllovakisë. Kosova humbi thellë nga Sllovakia e Islanda. Ka rënë në vendin e tretë me dy fitore e dy humbje. Për të avancuar në raundin e dytë të parakualifikimeve duhet të fitojë dy ndeshjet e muajit shkurt.

“Kriteret më të rëndësishme në zgjedhjen e mikpritësve, si për dritaren e mëparshme, ishin garancitë shëndetësore dhe të udhëtimit dhe pajtueshmëria me protokollet shëndetësore të FIBA-s, përfshirë testimin dhe hyrjen e kontrolluar në një mjedis të sigurt. Federata e Basketbollit e Kosovës zotohet se do të mundohet maksimalisht që këto ndeshje të zhvillohen pa asnjë problem, duke respektuar masat mbrojtëse”, njofton FBK-ja.