Secili futbollist që transferohet në “Santiago Bernabeu” e ka parasysh se për të luajtur te Real Madridi ka më shumë presion se në çdo klub tjetër. Tifozët, mediat dhe drejtuesit e Real Madridit presin shumë nga lojtarët e mëdhenj që i transferojnë. Reali nuk heziton të paguajë dëmshpërblime të majme për angazhimin e yjeve.
Mirëpo, jo gjithmonë shkojnë gjërat sipas planit. Dëmshpërblimi i madh ka tendencë të garantojë cilësi të madhe, por ka disa yje që nuk kanë arritur ta dëshmojnë veten me fanellën e Real Madridit. Mesfushori belg Eden Hazard është i fundit prej tyre, që po lufton për të arsyetuar çmimin e tij. Në verën e vitit të shkuar, Hazard la Chelsean për t’iu bashkuar Real Madridit për një shumë prej 150 milionë eurosh, por deri më tash ai nuk ka bindur. Në edicionin e parë Hazard u përball me lëndime të shumta dhe pati vetëm 22 paraqitje për Realin, derisa mungoi në 29 ndeshje. Ndërsa këtë edicion, kur pritjet ishin të mëdha prej tij, Hazard sërish po dështon. Ka munguar në nëntë ndeshje të këtij edicioni derisa lëndimi i fundit do të thotë që ai nuk do të mund të kthehet edhe për një kohë në fushë. Ai këtë edicion ka vetëm gjashtë paraqitje për Realin në të gjitha garat.
Hazard nuk është lojtari i vetëm që nuk i përmbushi pritjet te madrilenët. Më poshtë paraqesim disa prej lojtarëve që nuk kanë dhënë për Realin aq sa është pritur.
Leite Kaka
Një transferim prej 62 milionë eurosh në verën e vitit 2009 nga Milani, Leite Kaka ishte lojtari i parë që arriti te Real Madridi pasi Florentino Perez u bë president i klubit. Ishte Perez ai që insistoi në transferimin e mesfushorit brazilian që po shkëlqente në Itali dhe ishte ndër lojtarët më të mirë në Evropë. Perez synonte një gjeneratë tjetër “Galaktikësh” te Reali, por llogaritë nuk i dolën mirë me Kakan. Në sezonin e parë Kaka shënoi vetëm nëntë gola, kurse operimi i gjurit e largoi atë për pjesën më të madhe të sezonit vijues – 2010/11. Kaka do ta ndihmonte Realin të fitonte një titull në La Liga vitin tjetër përpara se dëmtimet dhe forma e dobët ta çonin atë në zhgënjim dhe kthim të qetë në Milano.
Antonio Cassano
Real Madridi e dinte se çka po transferonte kur e mori Antonio Cassanon nga Roma për një çmim çuditërisht të vogël në janar të vitit 2006. Në të vërtetë, betejat e vazhdueshme midis italianit dhe klubit të tij të vjetër thjesht u kthyen në beteja të vazhdueshme midis tij dhe klubit të ri. Cassano shpejt shtoi peshë dhe shkroi në autobiografinë e tij se do të kërkonte një kamerier në hotelin e tij për t’i sjellë pasta italiane para ndeshjeve me Realin. Klubi mori masa drastike duke e gjobitur Cassanon. Ai u largua pas vetëm 18 muajve me vetëm tri gola dhe aventura të Reali do të përshkruhej prej tij si “gabimi më i madh në karrierë”.
Nicolas Anelka
Një nga “udhëtarët” më të talentuar të futbollit, Nicolas Anelka, u largua nga Arsenali për t’u bashkuar me Real Madridin në vitin 1999. Transferimi prej 25 milionë eurosh nuk shënoi gol për një periudhë të gjatë dhe u largua nga përbërja e parë prej trajnerit Vicente del Bosque. Sidoqoftë, ai ishte startues në fitoren e Realit në finalen e Championsit kundër Valencias përpara se të transferohej te Paris Saint-Germaini verën tjetër. Më vonë ai zbuloi se ka urryer qëndrimin e tij në Madrid: “Kishte aq shumë presion. Unë isha në shtyp çdo ditë. Unë nuk mund të kisha një jetë private”.
Jonathan Woodgate
Përralla paralajmëruese e ish-yllit të Anglisë, Jonathan Woodgate mbase do të konsiderohej e vogël nëse do të shkruhej nga një skenarist futbolli. Pas David Beckhamit e Michael Owenit që ndërruan Anglinë për Real Madridin, Woodgate madje ishte në listën e lojtarëve të dëmtuar te Newcastle kur u ble për 15 milionë euro nga madrilenët në vitin 2004. Pasi nuk arriti të ishte i aftë për një lojë të vetme në vitin e tij të parë, debutimi i tij i pritur tregoi se ai ishte një dështim pas autogolit dhe kartonit të kuq kundër Athletic Bilbaos. Megjithatë, kur dukej se Woodgate po e merrte veten, një dëmtim tjetër erdhi përsëri dhe ai u largua nga Real Madridi pa asnjë trofe të fituar dhe pa bujë.
Walter Samuel
Pak mund të argumentojnë me vendimet e Real Madridit në vitin 2004. Pasi përfunduan të tretët në La Liga, megjithëse shënuan më shumë gola në kampionat, madrilenët transferuan një mbrojtës që kishte fituar titullin e kampionit në Serie A, Walter Samuelin, për të qenë partner i Jonathan Woodgate, në mbrojtjen e “çeliktë”, siç e paramendonin. Megjithatë, Samuel për asnjë moment nuk e arsyetoi çmimin prej 25 milionë eurosh që e pagoi Reali për ta transferuar nga Roma. Mjerisht, ai kurrë nuk u përshtat te Real Madridi dhe më vonë pranoi dështimin e tij në Spanjë. U kthye në Itali për një periudhë jashtëzakonisht të suksesshme me fanellën e Interit. /The Sun
-
3 dhjetor 2020 21:38
-
Shpërndaje në: