Sport

Djali i Michael Schumacherit do të garojë në Formula 1 vitin e ardhshëm

Descriptive Text

Mbiemri Schumacher do të rikthehet sezonin e ardhshëm në Formula 1, me Mickun, të birin e legjendës së Ferrarit dhe shtatë herë kampionit të botës, Michael.

Të mërkurën, ekipi Haas ka prezantuar Mick Schumacherin si ngasës të ri. 21-vjeçari ka nënshkruar kontratë afatgjate. Ai është lider në Formula 2 aktualisht.

“Mundësia për të qenë në Formula 1 vitin e ardhshëm më bën jashtëzakonisht të lumtur dhe jam thjesht pa fjalë. Gjithmonë kam besuar se mund ta realizoj ëndrrën time”, ka thënë Schumacher, raporton “Reuters”.

Schumacher, anëtar i akademisë së Ferrarit, do të përbëjë linjën e re të Haasit bashkë me rusin Nikita Mazepin, që u prezantua të martën.

Ai do të nisë testimet në fundjavë, në fund të sezonit.

Babai i tij, Michael Schumacher, u pensionua më 2012. Legjenda s’është parë në publik që kur kishte përjetuar lëndim të rëndë në një aksident me ski në alpet franceze më 2013.