Sport

Aliti kaloi kohën më të suksesshme në Shqipëri, është krenar që luan për Kosovën

Mbrojtësi i Zuerichut, Fidan Aliti, me krenari përmend 30 ndeshjet që i ka luajtur me fanellën e Kosovës dhe insiston se “Dardanët” kanë bërë një ngritje të madhe vitet e fundit. Aliti ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të Zuerichut, ekip të cilit iu bashkua javë më parë.

Aliti ka pranuar se nuk është i kënaqur me rezultatet e fundit të Kosovës, por ka shtuar se zhvillimi i sportit në një vend të ri si Kosova është gjë shumë pozitive.

Kosova javën e kaluar e mbylli edicionin e dytë të Ligës së Kombeve me vetëm një fitore në gjashtë ndeshje të luajtura në kuadër të grupit të tretë në Ligën C. Doli e treta me pesë pikë.

“Zhvillimi i futbollit është shumë pozitiv për një komb të ri të futbollit si Kosova. Edhe nëse nuk i kemi arritur rezultatet që ia kishim vendosur vetes si synim në muajt e fundit, unë ende shoh shumë çaste të mira gjatë viteve të fundit. Jam krenar që kam luajtur tashmë 30 ndeshje ndërkombëtare për Kosovën dhe kështu kam kontribuar në këto zhvillime pozitive. Familja ime është gjithashtu shumë krenare që unë përfaqësoj ngjyrat e vendit”, ka thënë Aliti.

Mbrojtësi 27-vjeçar u huazua te Zuerichu nga Kalmari suedez. Zuerichu ka opsionin e blerjes së tij në verën e vitit të ardhshëm nga Kalmari, ekip të cilit Aliti iu bashkua në fillim të vitit të shkuar dhe me të cilin ka kontratë deri në vitin 2022. Ai ka folur se për çfarë arsye vendosi të kthehet në Zvicër, aty ku edhe i mori hapat e parë të këtij sporti dhe për një periudhë ishte edhe pjesë e ekipit të parë të Luzernit. Pas largimit nga Zvicra në vitin 2015, Aliti karrierën e vazhdoi te Sheriff Tiraspoli, Slaven Belupo e Skënderbeu.

“Si një lojtar i ri pashë një mundësi interesante për të lëvizur jashtë vendit. Sherifi është kampion në Moldavi dhe doja ta provoja veten në një klub të suksesshëm, që gjithashtu luan rregullisht në Evropë. Mirëpo, për fat të keq, u lëndova dhe kjo ishte arsyeja e huazimit në Kroaci te Slaven Belupo”, shtoi Aliti, që vlerëson lart dy vjetët e kaluara te Skënderbeu (2017-2019).

“Koha në Shqipëri ishte më e suksesshmja për mua. U bëra kampion, fitova Superkupën dhe luajta në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Në këtë ekip unë isha në gjendje të mësoja shumë gjëra që ishin të rëndësishme për zhvillimin tim të mëtejshëm në futboll”.

Aliti te Zuerichu e ka nisur aventurën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka katër paraqitje në Superligën e Zvicrës dhe është titullar i padiskutueshëm në ekip.

“Për mua, Zuerichu është një nga adresat më të mira në futbollin zviceran. Kur mora ofertën nuk u mendova fare, por vendosa ta shfrytëzoja këtë mundësi. Familja ime gjithashtu jeton në Zvicër dhe unë doja të ‘kthehesha në shtëpi’ pas disa vitesh jashtë vendit. Ndihem shumë rehat këtu dhe jam mirëpritur ngrohtësisht në ekip, që është arsyeja e paraqitjeve të mira me te cilat shpresoj të vazhdoj”, është shprehur Aliti, që është një mbrojtës që asnjëherë nuk i shmanget duelit me kundërshtarin.

Aliti, para se të debutonte me Kosovën në qershor të vitit 2017, pati edhe dy paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë, ku arriti të realizojë një gol.