Sport

McGgregor–Poirier do të ballafaqohen më 23 janar

Ish-kampioni i UFC-së, Conor McGregor, do të kthehet në oktogon në muajin janar për duelin e dytë me Dustin Poirierin.

Irlandezi McGregor, 32-vjeçar, u pensionuar në qershor për herën e tretë në katër vjet, transmeton KOHA.

Presidenti i UFC-së, Dana White, ka thënë se nuk është vënë asnjëherë në dyshim se McGregor do të nënshkruante kontratë për meçin e 23 janarit në UFC 257.

“Nëse Conor McGregor thotë se dëshiron të luftojë, ai shfaqet”, i ka thënë White “Barstool Sportsit”.

White po ashtu shpreson se të pranishëm do të jenë dhe tifozët.

McGregori e mposhti Donald Cerrone në ndeshjen e fundit në UFC 246 në janar, që i dha atij rekordin me 22 fitore e 4 disfata në artet marciale të përziera.

Ai ka thënë në shtator se do të kthehej nga pensionimi për një meç boksi në Lindjen e Mesme, me 41-vjeçarin Manny Pacquiao, ish-kampionin e botës.

McGregori e mposhti amerikanin Poirier, 31-vjeçar, në raundin hapës në takimin e parë mes tyre në Las Vegas në vitin 2014.

Ndërkohë, Poirier së fundmi fitoi kundër Dan Hooker me pikë, në duelin e fundit që e pati në muajin qershor.