Sport

Ujkani dhe Alushi thonë se janë të gatshëm për Turqinë

Futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, Samir Ukani dhe Enis Alushi në konferencë për media kanë thënë se janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme ndaj Turqisë që zhvillohet në Loro Boriçi.

“Jemi gati, kemi punuar tërë kohën bashkë, fati i keq është pakës se kemi pasur disa lëndime. Por, besoj se jemi gati për ndeshjen e nesërme, dhe kemi dëshirën për ta fituar këtë ndeshje”, është shprehur Ujkani, transmeton Koha.net.

Kurse Enis Alushi ka thënë se e dinë çfarë kualitete ka Turqia, por që janë të përgatitur maksimalisht.

Ai ka thënë se nuk kishte kushte optimale për t’u përgatitur në Kosovë, duke e ditur gjendjen e fushave të futbollit, ndërsa edhe rruga e gjatë ka ndikuar sipas tij në përgatitje.

“E dimë vështirësinë e kësaj ndeshje dhe e dimë kualitetin e kundërshtarit. Por, mendoj se jemi shumë mirë të përgatitur për kualitetin që kemi me u përballur nesër. Nuk kemi pasur kushtet optimale në Kosovë për t’u përgatitur për një ndeshje kaq të fortë, dhe ky është një problem organizativ, si dhe rrugën që kemi bërë nga Prishtina në Mitrovicë e deri në Shkodër. Gjithë ato rrugë nuk janë optimale për përgatitjen, por mendoj se edhe këta muajt e ardhshëm duhet të përballemi me këto probleme”, ka thënë Alushi.

Në ora 20:45 Kosova luan ndaj Turqisë në Shkodër, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet në Botëror.