Sport

Sergio Ramosi ka realizuar 55 gola me kokë, 21 nga penalltitë

Descriptive Text

Real Madridi mposhti Interin 3:2 në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit A të Ligës së Kampionëve të martën mbrëma.

Përveç fitores, një shifër magjike preku edhe kapiteni, Sergio Ramos, i cili shënoi golin e dytë në ndeshje.

Për qendërmbrojtësin spanjoll, ishte goli i 100-të me fanellën e Real Madridit në të gjitha garat dhe i 55-ti me kokë. 21 gola i ka shënuar nga penalltia, dy nga gjuajtjet e lira, si dhe 22 të tjera nga loja e hapur.

Në total gjatë karrierës së tij deri më tash, ka realizuar 126 gola, duke llogaritur edhe 3 me Sevillën dhe 23 me Spanjën.

"Nuk është shifër e keqe. Arritjet individuale për mua janë dytësore. Por, më pëlqen kur shënoj dhe kur golat e ndihmojnë ekipin që të fitojë. Shpresoj që të shënoj edhe shumë të tjerë”, ka thënë Ramosi pas ndeshjes, i cili ka regjistruar 659 ndeshje me Realin dhe ka fituar 22 trofe.

34-vjeçari është pjesë e Real Madridit që nga viti 2005 dhe është mbrojtësi që ka shënuar më së shumti gola në La Liga, 74.

Nuk dihet nëse do të mbetet ende pjesë e madrilenëve, pasi nuk e ka vazhduar ende kontratën, e cila i skadon në fund të sezonit. Së fundmi, përkrahje Ramosit i ka dhënë trajneri Zinedine Zidane, i cili ka thënë se nuk ka dyshim se mbrojtësi do të qëndrojë te Reali.