Sport

Fazliji me padurim pret grumbullimin me Kosovën

Mbrojtësi i ekipit elitar të Zvicrës, St. Gallenit, Betim Fazliji me padurim po e pret grumbullimin me Përfaqësuesen A të Kosovës. Fazliji është përfshirë në listën e përzgjedhësit Bernard Challandes, të cilën e publikoi të martën për ndeshjet e këtij muaji, ku do t’i zhvillojë tre ndeshje.

Kosova më 9 nëntor do të grumbullohet në Durrës kurse dy ditë më vonë, do të luajë miqësoren me Kombëtaren e Shqipërisë në stadiumin “Elbasan Arena”. Pas këtij dueli, Kosovën e presin edhe dy ndeshje, të cilat janë të fundit për këtë edicion të Ligës së Kombeve. Më 15 nëntor do të jetë mysafire e Sllovenisë derisa tre ditë më vonë, në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta presë Moldavinë, ndeshje këto që i takojnë ligës C të Ligës së Kombeve. Fazliji 21-vjeçar, si futbollist është zhvilluar tek të rinjtë e St. Gallenit kurse pjesë e ekipit të parë edhe prej vitit të shkuar. Ai gjithashtu ka edhe dy paraqitje me Zvicrën U20.

Këtë edicion, Fazliji ka shtatë paraqitje me St. Gallenin në të gjitha garat dhe një gol të shënuar. Afrimin e Fazlijit te Kosova nuk e kanë pritur mirë në Zvicër pasi ka reaguar edhe e përditshmja “Blick”. Gazeta zvicerane ka shkruar se Fazliji që u ftua nga ekipi U21 i Zvicrës muajin e shkuar por që nuk luajti për shkak të lëndimit, tani do ta përfaqësoj Kosovën dhe mund të aktivizohet në pozita të ndryshme në fushë. “Kurrë në jetën time nuk kam qenë më i lumtur”, tha Fazliji për KOHËN kur u pyet për ftesën nga Kosova.

“Nuk ka qenë zgjedhje aspak e lehtë për mua sepse jam rritur në Zvicër, por zemra ime gjithmonë ka rrahur për Kosovën dhe këtë e kam ditur që nga fillimi”. Fazliji thotë se do të bëjë të pamundurën gjatë grumbullimit për ta bindur përzgjedhësin Challandes për t’i dhënë minutazhë. Ai mund të aktivizohet në miqësoren ndaj Shqipërisë derisa për duelet e Ligës së Kombeve ende nuk është e sigurt paraqitja e tij për shkak të dokumenteve, që shpreson t’i kompletojë gjatë ditëve në vijim. “Kundër Shqipërisë mund të luajë pa problem derisa për ndeshjet e Ligës së Kombeve ende nuk i kam gati dokumentet, të cilat po shpresoj se do të jenë të gatshme brenda kësaj jave apo javës tjetër”, është shprehur Fazliji. Fazliji është një futbollist që vlerësohet shumë lart në Zvicër. Ai u bë i njohur për faktin se skuadra e tij, St. Galleni për një kohë të gjatë nuk pësoi humbje kur ai aktivizohej. Kjo periudhë përfundoi në verë kur edhe Fazliji u kthye nga mesfushori në mbrojtës, pozitë që po shkëlqen këtë edicion duke e përfshirë edhe në ekipin më të mirë të Superligës së Zvicrës në xhirot e para. Ai ka kontratë me St. Gallenin deri në vitin 2023 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.