Sport

Terim fton lojtarët e tij të mos e nënçmojnë Kosovën

Seleksionuesi i Përfaqësueses së Turqisë, Fatih Terim, ka kërkuar nga futbollistët e tij që për asnjë moment të mos e nënvlerësojnë Kosovën në ndeshjen e 11 qershorit në Shkodër, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2018, shkruan sot Koha Ditore.

Terim ka porositur ekipin e tij se mund ta pësojë keq nëse e nënçmon Kosovën, që, sipas tij, dita-ditës po rritet.

"Ndeshja me Kosovën është shumë e rëndësishme. Duhet t'i qasemi ndeshjes me seriozitet të plotë dhe të mos e nënçmojmë assesi Kosovën. Sepse nëse e nënçmojmë, atëherë mund të paguajmë shtrenjtë për këtë", është shprehur Terim, raportoi të enjten gazeta “Milliyet”. "Nuk guxojmë të humbasim pikë dhe për këtë arsye duhet të marrim të gjitha masat për të evituar çdo befasi të mundshme. Fitorja është e rëndësishme për ne".

Pas pesë xhirove të zhvilluara deri më tash në kuadër të këtyre eliminatoreve, Kosova ka tubuar vetëm një pikë dhe është e fundit në tabelë. Turqia zë vendin e katërt me tetë pikë.

Terim nuk e sheh Kosovën në asnjë mënyrë si ekipin më të dobët në Grupin I. Ndeshja e parë e zhvilluar mes këtyre skuadrave në Antalia ka përfunduar me fitoren e Turqisë 2:0.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.