Sport

Ministrja Dumoshi nderohet nga Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur drejtuesit e Federatës së Bjeshkatarëve Alpiniste të Kosovës, të cilët i dhuruan asaj librin “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”, i shqipëruar nga prof. Teuta Bicaj dhe Abdurahim Abdushi, si shenjë mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që i jep sportit. Libri në fjalë është vepër e krijuar nga Federata Ndërkombëtare e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA) në bashkëpunim me Fondacionin “Petzl”. Ky libër është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore” është një libër mësimi, i cili i dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar, duke përvetësuar njohuri dhe aftësi të reja. Libri është hartuar si një dokument referimi për bjeshkatarë dhe alpinistë, e posaçërisht për udhëheqës në bjeshkë dhe instruktorë të federatave dhe klubeve anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA), anëtare e së cilës, me të drejta të plota, që nga viti 2011, është edhe Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK).

Kryetari i Federatës Bjeshkatare e Alpiniste të Kosovës, Arben Lila, falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe mbështetjen dhe tha se ky libër u dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar.