Sport

Shkëlqimi i Zybës pas lëndimit që ia rrezikoi karrierën

Qëndrim Zyba që veshë fanellën e Prishtinës, ishte ndër zbulimet më të mëdha të edicionit të kaluar në futbollin e Kosovës (2019/2020). Ai debutoi me ekipin nga kryeqyteti në Ligën e Evropës në moshën 18-vjeçare, kurse në elitën e futbollit kosovar në fillim të këtij viti. Shumë shpejt arriti ta fitojë vendin e titullarit te Prishtina, duke qenë i padiskutueshëm në përbërjen startuese të skuadrës që drejtohej nga trajneri Armend Dallku.

Po bëhen tri javë prej se ekipin nga kryeqyteti e ka marrë trajneri Zekirija Ramadani, që po ashtu po llogarit shumë në Zybën. Megjithatë, karriera e mesfushorit nga Bukoshi i Suharekës, ka mundur të marrë fund ende pa nisur mirë, shkaku i një lëndimi që e kishte pësuar në stërvitje me juniorët e Prishtinës në vitin 2018, ende pa e shijuar debutimin me ekipin e parë. Problemet me muskuj kanë bërë që Zyba të mos e dijë nëse do të mund ta vazhdojë ëndrrën që kishte nisur, pasi në Kosovë i kishin thënë se mund të mos luajë më. Për KOHËN, ai ka thënë se falë intervenimit jashtë vendit dhe me ndihmën e Zotit, ia ka dalë të kthehet dhe të luajë sërish, shkruan KOHA Ditore.

“Kam pasur probleme me aduktor (muskuj). Në Kosovë e vunë në dyshim karrierën time se a do të mund të vazhdoj të luaj futboll apo jo. Por, deshi Zoti e kalova me shumë sukses jashtë Kosovës dhe pa pasur nevojë të operohem, pasi në Kosovë dhe Maqedoni më kanë thënë se duhet të operohem. Për këtë dhe për gjithçka tjetër afër meje qëndron një person dhe po të mos ishte ai, unë nuk do të isha këtu ku jam. Ai është babai im, të cilit ia dedikoi çdo sukses”, tha Zyba.

Ai e pranon se një pjesë të shpenzimeve të shërimit në Beograd të Serbisë i ka mbuluar familja e tij, kurse një pjesë klubi që po ashtu e falënderon që i ka qëndruar afër. Shkaku i lëndimit, ai kishte qëndruar jashtë fushës afro katër muaj. Zyba që është ndër lojtarët më të rinj që luan si titullarë në elitën e futbollit kosovar, mendon se klubet e Kosovës duhet t’u japin hapësirë më të madhe lojtarëve të rinj.

“Te Prishtina më është dhënë hapësira dhe unë jam munduar që ta shpaguaj besimin që ma kanë dhënë. Mendoj se klubet në Kosovë duhet t’u japin më shumë hapësirë lojtarëve të rinj. Ka shumë lojtarë të talentuar në Kosovë që e meritojnë të luajnë”, u shpreh Zyba.

Sermaxhaj e solli te Prishtina, hapësirën ia dha Dallku

Qëndrim Zyba ka hyrë në vitin e tretë të kontratës me Prishtinën. Ai ishte pjesë e Ballkanit nga Suhareka, por me insistimin e trajnerit Sami Sermaxhaj që në atë kohë ishte pjesë e shkollës së futbollit të Prishtinës, i riu suharekas iu bashkua klubit më të trofeshëm në Kosovë.