Sport

Sllovenët, me mungesa të shumta, synojnë t’i marrin pikët e plota në Kosovë

Sllovenia do ta luajë ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve të edicionit të ri të dielën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Kosovës.

Pas barazimit pa gola me Greqinë dhe fitores minimale ndaj Moldavisë, në kampin slloven kundër Kosovës kërkohet paraqitje shumë e mirë për të treguar se janë ekip cilësor.

“Kosova ka lojtarë shumë cilësorë, të cilët janë të fortë sidomos në lojën një me një. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë dhe të përgjigjemi me cilësinë tonë. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të theksohet motivimi në karakterin ose ADN-në e tyre. Por, ne duhet të mendojmë për veten tonë. Pres një ndeshje të mirë, të hapur, cilësore”, ka thënë përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjaz Kek, në konferencën e mbajtur të shtunën.

Për shkak të lëndimeve dhe arsyeve të tjera, përzgjedhësi Kek nuk mund të llogarisë në disa lojtarë që luajtën shumë në ciklet e mëparshme kualifikuese, përfshirë lojtarët si Josip Iliçiq, Miha Zajc dhe Andrazh Shporar. Në vend të këtij të fundit është ftuar Lovro Bizjak.

“Të enjten, futbollistët e Kosovës humbën një ndeshje të rëndësishme në gjysmëfinale të kualifikimeve për Evropianin 2021 me Maqedoninë e Veriut që mund të jetë një thikë me dy teha për ne. Ata patjetër që do të bëjnë gjithçka për të fituar. Kanë shumë lojtarë cilësorë”, nënvizoi përzgjedhësi Kek.

Mbrojtësi Petar Stojanoviq do të luajë kundër bashkëlojtarit te Dinamo Zagrebi, Lirim Kastrati.

“Sigurisht që Lirimin e njoh mirë, ne luajmë në të njëjtën anë në Dinamo. E di që ai është një lojtar shumë cilësor dhe ne jemi gjithashtu miq të mirë. Tashmë po pres me padurim ta takoj. Përndryshe, ne e njohim ekipin e tyre, por duhet të përqendrohemi te vetja”, tha mbrojtësi Stojanoviq.

Stojanoviq është i kënaqur me mënyrën se si skuadra sllovene e ka filluar Ligën e Kombeve të këtij viti dhe shpreson në një tjetër fitore.

Sllovenia renditet e 64-ta në ranglistën e FIFA-s, derisa Kosova është në vendin e 116-të.

Ky takim do të drejtohet nga katërshja e gjyqtarëve anglezë, Andrew Madley si gjyqtar kryesor, Daniel Richard Cook e Constantine Hatzidakis si asistent, dhe Paul Tierney do të jetë gjyqtar i katërt.

Sllovenia do të përballet për herën e parë me Kosovën, ndërsa të mërkurën do të luajë në udhëtim te Moldavia.