Sport

Kosova e përgjysmuar në stërvitjen e parë para ndeshjes me Maqedoninë

Plot 10 lojtarë i munguan Përfaqësueses së Kosovës në stërvitjen e parë në prag të ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut.

Stërvitjen e parë “Dardanët” e zhvilluan të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, derisa ndeshjen e plejofit për kualifikim në “Euro 2020” do ta luajnë të enjten mbrëma në Shkup.

Kosovës në stërvitjen e parë i munguan Elbasan Rashani, Lirim Kastrati, Edon Zhegrova, Florent Hadërgjonaj, Benjamin Kololli, Herolind Shala, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Hekuran Kryeziu e Idriz Voca.

Kryeziu e Voca janë mungesa të papritura. Ata janë lënduar në ndeshjet e fundjavës. Rrahmani ka mbetur në Itali në tentim për të marrë leje që të udhëtojë për në Prishtinë. Muriqi mbetet në dyshim për shkak të gjendjes fizike.

Të tjerët, Rashani, Kastrati, Zhegrova, Hadërgjonaj, Kololli e Shala janë lënë të lirë për shkak se kishin ndeshje me skuadrat e tyre të dielën.

Stërvitja ishte e hapur vetëm 15 minuta për media, ndërsa nisi me një video motivuese. Futbollistët e pranishëm në stërvitjen e parë u grumbulluan në mes të fushës për të parë videon motivuese para ndeshjes më të madhe me Kosovën. Stërvitja nisi me vrapime të lehta, kurse nuk ishte me ngarkesa të mëdha.

Sulmuesi Atdhe Nuhiu dhe të tjerët premtojnë angazhim maksimal për ndeshjen që vlerësohet më e rëndësishmja e Kosovës që nga pranimi në UEFA dhe FIFA.

Edhe Florian Loshaj, që ftohet për herë të parë te Kosova për një ndeshje zyrtare, thotë se do të motivohen për ta mposhtur Maqedoninë e Veriut.

Kosova do të ketë stërvitje edhe të martën në Prishtinë, kurse të mërkurën e zhvillon të fundit në Shkup. Pas ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut, Kosova më 11 tetor e pret Slloveninë, derisa luan në udhëtim ndaj Greqisë. Dy ndeshjet i takojnë edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.