Sport

Rama për të qëndruar afër familjes, po luan në kategorinë e tretë gjermane

Sulmuesi i krahut, Valdet Rama, kishte menduar që të tërhiqej nga futbolli aktiv me të përfunduar aventurën e tij te Kukësi në verën e vitit të shkuar, ku arriti ta fitonte Kupën e Shqipërisë. Edhe pse kishte opsionin e rinovimit të kontratës edhe për një vit, Rama pas gjashtë muajve vendosi të rikthehej në Gjermani për të qëndruar më shumë afër familjes së tij.

Sa më shumë që kalonin ditët, Rama ishte më i bindur për të varur këpucët në gozhdë edhe pse ofertat nuk i mungonin. Ai ktheu prapa disa oferta, përfshirë këtu edhe nga Superliga e Kosovës, derisa në derë i trokiti skuadra e kategorisë së tretë SV Meppen, të cilën në fund edhe e pranoi.

“Kukësit iu bashkova pas një periudhe të gjatë pa ekip dhe pasi vendosa të largohesha për t’u kthyer te familja në Gjermani pata oferta edhe nga Hungaria. Mirëpo, nuk doja të largohesha nga familja dhe fillova të mendoja edhe për tërheqjen nga futbolli aktiv”, thotë Rama 32-vjeçar.

“Mirëpo, nuk ndodhi ajo që kisha në mendje për shkak se më erdhi oferta nga Meppeni dhe vendosa të vazhdoja me futboll”.

Rama ka kontratë me Meppenin deri në verën e vitit të ardhshëm dhe këtë sezon po synon ta ndihmojë ekipin të ngjitet në një kategori më lart – Bundesligën 2. Meppeni këtë edicion ka një fitore dhe një humbje në dy ndeshje të luajtura kurse Rama në të dyja ishte titullar dhe realizoi një gol. Si pjesë e Meppenit, Rama tashmë nuk po mendon për largimin nga futbolli aktiv pasi insiston se mund të luajë edhe për disa vjet përpara se të mbyllë karrierën që nisi në vitin 2005. Ai beson se të paktën mund të luajë edhe për dy vjet.

“Kemi një ekip interesant dhe cilësor, me një trajner të mirë. Synimet këtë sezon janë që të fitojmë sa më shumë ndeshje për të përfunduar në pjesën e epërme të tabelës. Shpresoj që mund të jemi në njërën prej pozitave që siguron pjesëmarrjen në Bundesligën 2 edicionin tjetër”, thotë Rama. “Jam në formë të mirë fizike dhe jam optimist se do të mund të luaj së paku edhe për dy vjet të tjerë përpara se të tërhiqem nga futbolli aktiv”.

Kujtimet e dueleve me lojtarët e Realit dhe Barçës Edhe kur t’i thotë lamtumirë futbollit aktiv, Rama nuk do të shkëputet nga ky sport që i dha gjithçka.

“Edhe pas përfundimit të karrierës nuk mendoj të largohem nga futbolli. Nuk e kam menduar ende se me çfarë do të merrem megjithatë do të jem në futboll”, deklaroi Rama. Vitet e fundit Rama ka pësuar një rënie në karrierë pas kulmit që e pati shtatë vjet më parë kur u transferua në La Liga, te skuadra e Real Valladolidit. Në të vërtetë, Rama ka një karrierë të pasur si futbollist, e cila i siguroi edhe paraqitjet me Kombëtaren e Shqipërisë. Megjithatë, ai tashmë nuk e kthen kokën prapa dhe kujton vetëm momentet e mira që i pati prej vitit 2011 deri në vitin 2014, kur ishte pjesë e Orebros në Suedi përpara se të transferohej në Spanjë.

Madje, thotë se te Orebero i pati vitet më të mira, ekip për të cilin regjistroi 50 ndeshje dhe realizoi dhjetë gola.

“Pas gjashtë vjetëve të kaluar në Gjermani, vendosa të provoja një aventurë të re. U transferova te Orebro dhe në Suedi mund të them se pata dy sezone që për mua ishin dhe mbeten fantastike në karrierën time”, pranon Rama, i cili falë ndeshjeve te Orebro bëri hapin e madh në karrierë – transferimin te Valladolidi. Ai me fanellën e ekipit spanjoll shënoi një gol në 31 paraqitje, kurse thotë se momentet më të mira ishin përballjet me lojtarët e mëdhenj të skuadrave të njohura të Spanjës, si Barcelona, Real Madridi, Atletico Madridi e Valencia.

“Mund të them se kam pasur momente të mira edhe në La Liga. Sigurisht, duelet me Barcelonën dhe Realin ishin më se speciale. Pata mundësinë të luaja ndaj më të mirëve dhe sigurisht se janë kujtime të mira që do t’i veçoja nga karriera ime”.

Rama përgjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Kinë, te skuadra Yaniban Funde (2017/18), por pati vetëm shtatë paraqitje përpara se të kthehet në Evropë.

Si senior, futbollisti nga Mitrovica hapat i ka nisur në Gjermani te ekipi i dytë i Wolfsburgut në vitin 2005, përpara se t’i bashkohet Ingolstadtit tre vjet më vonë.

Ai gjithashtu luajti edhe për Hannoverin përpara se të largohet nga Gjermania në vitin 2011. Megjithatë, në Gjermani Rama u kthye tre vjet më vonë ku pas Valladolidit luajti për dy vjet te ekipi Muenchen 1860 për të vazhduar te Wuerzburger Kickers. Prej vitit të shkuar Rama është i fokusuar te SV Meppeni, ekip që ka gjasa të mëdha ta mbyllë edhe karrierën pas disa vjetësh.