Sport

Bayerni dhe rivalët presin shortin e Championsit, me gjithë enigmën pandemike

Para më pak se gjashtë javësh Bayern Muncheni fitoi finalen e vonuar të sezonit të kaluar prapa dyerve të mbyllura, kurse shorti për edicionin e ri të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve do të tërhiqet të enjten (sot), me kërcënimin e pandemisë së koronavirusit përsëri i varur në garë. Bayerni u kurorëzua kampion i Evropës për herë të gjashtë pasi mundi Paris Saint-Germainin në finalen e luajtur në stadiumin bosh të Lisbonës “Estadio da Luz” në muajin gusht.

Përhapja e pandemisë COVID-19 detyroi UEFA-n që të bëjë ndryshime rrënjësore në garën elitare të futbollit. Organi drejtues i futbollit evropian arriti të përfundonte Ligën e Kampionëve pavarësisht mbylljes së gjatë të shkaktuar nga kriza shëndetësore, por raundet e fundit nuk ishin të njëjtat sikur ato me stadiumet e mbushura. Raundet u zhvilluan me nga një ndeshje dhe pa praninë e tifozëve. Madje, raundi final i Ligës së Kampionëve është zhvilluar komplet në Lisbonë.

“Një lojë pa shikues në tribuna nuk është futbolli që në e njohim. Ndoshta tifozët mund të rikthehen në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve. Do të ishte mirë për të gjithë”, ka pranuar trajneri i Bayernit, Hansi Flick.

Shorti i së enjtes është pjesë e një ceremonie, e cila do të kurorëzojë gjithashtu lojtarin më të mirë si tek meshkujt ashtu edhe të femrat për edicionin e shkuar. Në fakt, UEFA duhej të hidhte poshtë planet për të organizuar ngjarjen në Athinë dhe në vend të kësaj e zhvendosi atë në selinë e saj në Nyon, Zvicër, ku shorti do të vazhdojë pa mysafirë. Një gjë është e sigurt, që pas betejës për të përfunduar sezonin e kaluar, gjërat nuk janë gati të kthehen në normalitet në Evropë, dhe rastet me viruse po shpërthejnë përsëri. Mirëpo kësaj here futbolli, siç duket, do të vazhdojë. Si Bayerni ashtu edhe PSG-ja do të jenë në vazon e parë së bashku me Liverpoolin, Real Madridin, Juventusin, Porton, Zenitin dhe Sevilla, ekip që triumfoi edicionin e fundit në Ligën e Evropës. Ekziston mundësia e shumë ndeshjeve joshëse, me Barcelonën, ​​Atletico Madridin, Chelsean, Borussia Dortmundin, dy klubet e Manchesterit, Interin, Atalantan, RB Leipzigun dhe Marseillen që janë të shpërndara midis vazove tjera. Por eksitimi i shortit do të zbutet shpejt. Së pari, ekziston kuptimi që pothuajse të gjitha klubet kryesore do të kalojnë në mesin e 16 më të mirave gjithsesi, siç bëjnë gjithmonë, duke hequr kështu rrezikun nga ndeshjet e mëhershme.

“Do të jetë një format krejtësisht tjetër për shkak se pandemia ka bërë që futbolli mos të jetë ai që ishte më përpara. Megjithatë, besoj se të gjitha ekipet me padurim po e presin tërheqjen e shortit për shkak se pritet të ketë ndeshje interesante”, ka shtuar trajneri i PSG-s, Thomas Tuchel.

Ndërsa pandemia vazhdon me këtë ritëm, atëherë duket e vështirë të imagjinohen finalet që do të zhvillohen përpara siç është planifikuar në Stamboll majin tjetër, në një stadium të mbushur. UEFA eksperimentoi me kthimin e tifozëve kur rreth 15,500 morën pjesë në ndeshjen e Superkupën që u zhvillua javën e shkuar ndërmjet Bayernit dhe Sevillas në “Pushkash Arena” të Budapestit.

“Shëndeti është prioriteti numër një, por ne duam të sjellim shpresë”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. “Tifozët dhe lojtarët janë pjesa thelbësore e futbollit”.