Sport

Douglas Costa refuzon Wolverhamptonin

Sulmuesi i krahut, Douglas Costa, nuk dëshiron të largohet nga skuadra e Juventusit gjatë këtij afati kalimtar përkundër që është nxjerrë në shitje nga kampioni i Italisë.

Mediumet italiane kanë njoftuar të mërkurën se Costa ka refuzuar transferimin te Wolverhamptoni përkundër që klubi anglez kishte arritur marrëveshje me Juventusin.

Wolvesi kishte ofruar 30 milionë euro për kartonin e Costas, i cili është i vendosur të mbetet te “Zonja e Vjetër”. 30-vjeçari ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2022 të cilën dëshiron ta respektojë dhe po synon një vend titullari në edicionin e ri, në të cilin ka regjistruar dy paraqitje kampionale. Ai te Juventusi u transferua në vitin 2017 dhe ka fituar tre tituj kampioni të Italisë.