Sport

Nuk ka pengesa që Kololli, Kryeziu, Rashani e Shala të bashkohen me Kosovën

Dukshëm më tepër se për ndeshjen ndaj Greqisë, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, pritet të ketë opsione për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut dhe Kosova takohen më 8 tetor në Shkup në gjysmëfinale të plejofit për “Euro 2020”.

Kosova kishte humbur 2:1 nga Greqia më 6 shtator në Prishtinë, ndërsa Challandes kishte në dispozicion vetëm 18 lojtarë, duke llogaritur edhe Rron Brojën e Armend Thaqin, që ishin ftuar pas ndeshjes ndaj Moldavisë, të luajtur më 3 shtator në Itali, transmeton KOHA.

Lojtarë të rëndësishëm të Kosovës, si Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu, Leart Paçarada, Milot Rashica, Elbasan Rashani e Herolind Shala ishin në ekip për ndeshjen ndaj Moldavisë, por nuk udhëtuan për në Prishtinë për ndeshjen ndaj Greqisë. Këtë e bënë për të shmangur karantinimin pas kthimit në vendet ku luajnë. Në fakt Rashica ishte lënduar ndaj Moldavisë dhe ende po sanon lëndimin e gjurit. Por edhe për të vlente rregulla e karantinimit, sikur të udhëtonte për në Kosovë.

Zvicra, Norvegjia dhe një pjesë e landeve të Gjermanisë e kishin kusht karantinimin për ata që udhëtonin në këto vende nga Kosova, për shkak të rasteve të shumta me COVID-19.

Ndërkohë numri i rasteve me koronavirus në Kosovë ka rënë dhe të paktën lojtarët në Zvicër e ata në Norvegji nuk kanë nevojë të karantinohen. Kjo nënkupton se Kololli e Kryeziu, që luajnë në Zvicër e po ashtu Rashani e Shala që luajnë në Norvegji, do të jenë në dispozicion të Challandesit për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut. Natyrisht, nëse Challandes i llogarit të vlefshëm dhe ata nuk kanë telashe me lëndime. Kololli është lënduar në fundjavën e kaluar dhe nuk dihet sa do të mungojë.

Kololli, Kryeziu, Shala e Rashani llogariten lojtarë të rëndësishëm të Kosovës. Ata tani nuk duhet të izolohen në vendet ku luajnë, pas kthimit nga Kosova.

Autoritetet zvicerane të premten kanë njoftuar se prej 28 shtatorit, Kosova nuk do të jetë në listën e vendeve për të cilat është obligativ karantinimi.