Sport

Ndeshja “testuese” jep fitues të befasishëm, sot luhen ndeshje të tjera

Descriptive Text

Të premten është publikuar orari i ndeshjeve e po ashtu arbritrat që do t’i drejtojnë ato. Të premten erdhi edhe “leja” nga Ministria e Shëndetësisë e po të premten, u njoftua se ndeshja e parë do të ishte një lloj testi.

Për të kompletuar një ditë plot zhvillime interesante, u kujdes Arbëria e Dobrajës, që për herë të parë luan në Superligën e Kosovës në futboll. Në ndeshjen hapëse të edicionit 2020/2021, Arbëria bëri befasi të madhe duke fituar 2:0 në udhëtim ndaj Trepçës ’89, që llogaritej favorite e madhe, transmeton KOHA.

Në të vërtetë, Superliga e Kosovës në futboll është dashur të fillojë para një jave. Por ishte shtyrë për këtë javë. Gjatë javës pritej që Qeveria të shfuqizonte vendimin që është në fuqi, e që ndalon aktivitetet sportive.

Vendimi i 28 korrikut vazhdon të jetë në fuqi, por megjithatë, Superliga në futboll ka filluar. Është gjetur një kompromis, të paktën sipas Federatës së Futbollit të Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës thotë se “ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjithë lëmenjve etj.”.

Nuk ka njoftim që të jetë shfuqizuar apo ndryshuar ky vendim. FFK-ja është në pritje të vendimit po ashtu.

“FFK-ja ka kohë që i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e edicionit të ri, i cili do të nisë sot me ndeshjen Trepça ’89 – Arbëria. Ministria e Shëndetësisë e ka aprovuar sot kërkesën e FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, e cila do të jetë si test për të parë se si po operohet dhe sa po respektohen masat strikte në luftën kundër COVID-19, ndërkohë që pritet vendimi i Qeverisë, në mënyrë që pas më pas ecuria e kampionatit të rrjedhë normalisht, sipas kalendarit të garave”, ka njoftuar FFK-ja.