Sport

Një skuadër nga Kosova e një nga Shqipëria synojnë federatë mbarëkombëtare në ragbi

Descriptive Text

Ky është ekipi i parë i ragbit në Shqipëri që mban emrin e Tiranës. Prej disa vitesh vazhdojnë të organizohen vetë për ta bërë sa më popullor këtë sport edhe në Shqipëri me qëllimin e krijimit të paktën të 5 klubeve me të cilën mund të kenë mundësinë e krijimit të një Federate.

Mungesa e njohurive profesionale i ka detyruar të marrin një eksperiencë të huaj që e gjejnë më së miri tek Martin Lustiano, një ish-lojtar ragbi irlandez dhe njëkohësisht trajner i kombëtares së Malit të Zi të ragbit.

“Sa i përket këtyre djemve mund të them se janë shumë entuziastë për këtë lojë, janë shumë të rinj luajnë pak por kanë bërë përmirësime të dukshme. Ragbi është një sport që luhet në të gjithë Europën kështu që mund të luhet edhe në Shqipëri. Kërkesa e parë që duhet për këtë sport është që të kesh guxim, të kesh zemër. Më pas në ragbi ka disa pozicione dhe ku kërkohen madhësi trupash të ndryshëm, të shpejtë, të shkurtër, të gjatë të fuqishëm. Nuk është një sport si futbolli ku duhen djem të dobët që vrapojnë shpejt, këtu ka vend për të gjithë”, shprehet Martin Lusitano, përcjell TCh.

Përball tyre është një ekip nga Kosova që quhet “Koso Roosters” apo Gjelat e Kosovës, një skuadër gjithashtu amatore.

“Ende nuk kemi një Federatë janë 3 skuadra, por presim që të bëhemi 5 që të krijojmë Federatën dhe nëse nuk e krijojmë dot vetë të paktën të organizojmë një kampionat mbarëkombëtar me klube edhe nga Shqipëria”, shprehet Denis Dautaj, themelues i Kosova Roosters.

Sa i përket këtij aktiviteti, këto dy skuadra janë organizuar për të luajtur për kupën “Skënderbeu”, e cila u fitua nga Tirana pasi ka fituar dy ndeshjet e para, ndërkohë që gjithsesi, do të luhet edhe ndeshja e tretë që do të zhvillohet në Kosovë.