Sport

Shkëlqimi i Berishës në ligën e shtetit për të cilin “hoqi dorë” nga Kosova

Me formën aktuale, Veton Berisha do të ishte kandidat serioz për një vend në përfaqësuesen e Kosovës. Por kur ishte momenti për të vendosur, Berisha, tani 26-vjeçar, zgjodhi Norvegjinë.

Vëllai i vogël i Valon Berishës, mesfushorit të Kosovës, ka kohë që nuk po ftohet nga Norvegjia. Por aktualisht është duke shkëlqyer në ligën e këtij vendi. Sulmuesi Berisha në gjashtë ndeshjet e fundit ka realizuar tetë gola dhe ka kontribuar me katër asistime. Është i pandalshëm te skuadra e Vikingut.

Në ndeshjen e fundit realizoi dy gola e dy asistime në fitoren 5:3 ndaj Kristiansund. Golat tjerë të Vikingut u shënuan po ashtu nga futbollistë shqiptarë. Zymer Bytyqi realizoi dy gola e Ylldren Ibrahimaj një.

“Gjërat po shkojnë goxha mirë në ndeshjet e fundit. Shumë gola, shumë asistime. Vetëm duhet të vazhdojë kështu. Nuk jam ndier thuajse asnjëherë si tani. Ndihem i lumtur që po e kaloj këtë formë te Vikingu”, ka thënë Veton Berisha së fundi.

Ai ka dhjetë gola në 17 ndeshje kampionale. Në tri edicionet e kaluara, një te Branni në Norvegji dhe dy te Rapidi në Austri, kishte shënuar gjithsej dhjetë gola.

Më shumë ka shënuar vetëm në vitin 2015, kur realizoi 11 gola për Vikingun, në 14 ndeshje. Më pas u transferua te Greuther Fuerthi në Bundesliga 2 dhe realizoi tetë gola në edicionin e parë. Ishte momenti kur karriera e tij po shkëlqente.

Te Norvegjia debutoi në maj të vitit 2016, ndërsa në fund të gushtit të atij viti u mor vendimi. Valon Berisha vendosi të luante për Kosovën, ndërsa Veton Berisha të mbetej te Norvegjia. Dukej si një lloj kompromisi i vëllezërve Berisha për të mbajtur të gjithë të kënaqur. Valoni tashmë luan për Reimsin në Francë dhe është titullar te Kosova.

Vetoni ndeshjen e fundit me Norvegjinë e luajti pak ditë pas vendimit për të mbetur në këtë përfaqësuese, më 4 shtator të vitit 2016. Prej atëherë më nuk ka luajtur e madje nuk është ftuar. Në nivel klubesh, Veton Berisha në vitin 2017 u transferua te Rapidi i Vjenës. Por për dy edicione nuk realizoi shumë dhe vjet u kthye në Norvegji te Branni. Këtë vit u kthye te Vikingu dhe ktheu edhe formën e efikasitetin.

Me formën aktuale Berisha mund të kthehet te Norvegjia. Po ashtu mund të sigurojë angazhim në ndonjë ligë më të madhe evropiane. Më 25 gusht të vitit 2016, Federata norvegjeze ka njoftuar për vendimin e vëllezërve Berisha për të luajtur për përfaqësuese të ndryshme.

“Familja ime dhe unë kemi ndjenja të forta për Norvegjinë dhe Kosovën. Por unë ndiej një lidhje të veçantë me Kosovë, pasi është bërë e pavarur dhe pasi kam familje atje. Në të njëjtën kohë, për mua dhe për Vetonin ka pasur shumë rëndësi paraqitja për Norvegjinë, ku kemi lindur dhe jemi rritur. Për këtë kemi vendosur të përfaqësojmë të dy nga një shtet”, kishte thënë Valon Berisha, që ka luajtur 20 ndeshje për Norvegjinë në të kaluarën. “Janë emocione të forta dhe ishte zgjidhje e vështirë për të bërë”, kishte shtuar ai.

“Gjithnjë kam qenë i vetëdijshëm se ky do të ishte një vendim i vështirë për Valonin, Vetonin dhe pjesën tjetër të familjes. Kam respekt të madh për zgjedhjen. Ne duam të falënderojmë Valonin për angazhimin dhe t’i dëshirojmë sukses me Kosovën. Në të njëjtën kohë, jemi të lumtur që Vetoni po luan për Norvegjinë”, kishte thënë selektori i Norvegjisë, Per-Mathias Hogmo, që ishte në detyrë në vitin 2016.