Sport

Celina debuton me humbje në Francë, mposhten edhe Zeneli e Berisha

Bersant Celina ka debutuar me humbje, pak ditë pasi u transferua te skuadra e elitës franceze, Dijon. Skuadra e Dijonit pësoi edhe humbjen e tretë rresht në ligë dhe është në vendin e fundit. Të dielën, Celina u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Dijoni u mposht në shtëpi nga skuadra e Brestit, me rezultatin 2:0.

Ndërkohë, humbje pësuan edhe dy reprezentuesit e tjerë të Kosovës, Arbër Zeneli e Valon Berisha. Zeneli e Berisha me Reimsin pësuan disfatë nga skuadra e Angersit, me rezultatin 1:0, ndeshje e cila po ashtu u zhvillua të dielën. Zeneli luajti në pjesën e parë, derisa Berisha u inkuadrua në minutën e 61-të. Reimsi nga tri ndeshjet e para ka marrë vetëm një pikë dhe është në pozitën e 16-të.